Policia zbulon 13.8 kg drogë në një banesë të pabanuar në lumin Kir, identifikohen 9 pjesëtarë të grupit kriminal

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2023, 10:51 | Kronikë

Policia zbulon 13.8 kg drogë në një banesë të pabanuar

Policia e Shtetit njofton se ka zbuluar një sasi prej 13.8 kilogramë drogë në një banesë të pabanuar në lumin Kir, ndërsa ka arritur të identifikojë 9 pjesëtarë të grupit kriminal, që e disponon këtë sasi.

“Shkodër/Vijojnë kontrollet dhe hetimet për të zbardhur veprimtarinë e një grupi kriminal të implikuar në kultivimin dhe prodhimin e cannabisit. Gjenden në një banesë të pabanuar, në afërsi të lumit Kir, rreth 13.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe sende për përpunimin e lëndës, që posedoheshin nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal.

Ditën e djeshme, si rezultat i hetimeve intensive, Policia identifikoi 9 pjesëtarët e grupit dhe ndaloi 3 prej tyre. Në gusht të këtij viti, Policia i asgjësoi grupit kriminal, 10 274 bimë cannabisi, të kultivuara në fshatrat Kir dhe Pult. Në kuadër të goditjeve të njëpasnjëshme antidrogë, të Policisë, kanë vijuar hetimet për të dokumentuar ligjërisht veprimtarinë kriminale të 9 shtetasve, të cilët të organizuar si grup, kultivonin dhe prodhonin lëndë narkotike cannabis sativa, në fshtara të ndryshëm në Malësinë e Shkodrës.

Nga kontrollet, shërbimet e Policisë gjetën në një banesë të pabanuar, në afërsi të lumit Kir, dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, rreth 13.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe sende për përpunimin e lëndës, që posedoheshin nga këta 9 shtetas, të cilët u identifikuan dje, si rezultat i hetimeve intensive të ndjekura proaktivisht, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u vunë në pranga 3 nga pjesëtarët e grupit kriminal dhe vijon puna për kapjen e 6 të tjerëve.

Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas të organizuar si grup, kishin kultivuar 10 274 bimë cannabisi, në fshatrat Kir dhe Pult, veprimtari kriminale e cila u shkatërrua nga Policia e Shkodrës, në gusht të këtij viti, si rezultat i fazës së 12-të të megaoperacionit “Alpe të pastra”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani