Hekuran Troplini dhe Emiliano Pasha janë lënë në burg nga gjykata e Durrësit.
Dy të rinjtë u arrestuan në qytetin bregdetar, dy ditë më parë, pasi u zbuluan se mbanin një sasi armatimi të fshehtë dhe ua shisnin grupeve kriminale.
Ata akuzohen nga prokuroria për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Prodhim armësh e municionesh”.
Gjatë operacionit policor i koduar “Hills”, dyshja u arrestuan duke shitur armë zjarri në fshatin Shkallnur. 20-vjeçari Troplini dhe 19-vjeçari Pasho, janë të dy banues në këtë fshat.
Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri kallashnikovë me 20 krehëra, qindra fishekë luftarakë, 1 motomjet që shërbente për të lëvizur dhe transportuar armët e municionin, me qëllim shitjen, 63.700 lekë dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis.
Ndërkohë sot në Sukth të Durrësit u finalizua operacioni policor i koduar “Hills 2”, gjatë të cilit u zbulua një tjetër bazë që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale, me armë zjarri dhe me municion luftarak.
U sekuestruan nga policia kallashnikovë, granata, dylbi snajperi, krehër arme dhe mijëra fishekë të kalibrave të ndryshëm. Policia vuri në pranga pronarin e banesës, shtetasin Adem Salillari. (A2 Televizion)