Një nga dy të plagosurit e ngjarjes së sotme në Fier ka ndërruar jetë. Lajmi konfirmohet nga burime policore për A2 CNN. Ngjarja ndodhi pasi disa persona u grindën mes tyre dhe pasi debati agravoi në përleshje fizike, njëri prej tyre ka nxjerrë thikën dhe ka goditur një 19-vjeçar, i cili ka shkuar me urgjencë në spital, por humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Në spitalin e Fierit është paraqitur për ndihmë mjekësore edhe një 20 vjeçar, i cili në momentin që ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit është dëmtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka arrestuar autorin Florjan Muka.
Viktima Grei Bihuci, 19 vjeç nga Fieri ishte nxënës i shkollës profesionale Petro Sota në degën TIK. Mësohet se ditën e sotme ka bërë vetëm dy orë mësim dhe i ka lënë orët e tjera. Pasditeve punonte kamarier në një pastiçeri prane vendit të ngjarjes.
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 11:30, në bulevardin "Jakov Xoxa", shtetasi F. M., 18 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital.
Në spitalin e Fierit është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi O. S., 20 vjeç, i cili në momentin që ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit është dëmtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar në Polici shtetasin F. M, dhe po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. (A2 Televizion)