Pas disa kërkesave të rrëzuara për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga shqyrtimi i kërkesave penale të ish-kryeministrit Sali Berisha, këtë të martë, avokatët e tij i bënë një ftesë gjyqtares të heqë dorë nga procesi.
Ftesën e tyre, mbrojtësit e paraprinë me dorëzimin në duart e kryesueses së seancës së një kopjeje të një vendimi të Gjykatës Administative të Athinës, në Greqi, të vitit 2004, për ndalimin e gjyqtares Gjoka në zonën Shengen për një afat 10-vjeçar, si edhe një kopje të publikimit të këtij vendimi në gazetën greke “Protothema”.
“Ajo nuk pohoi, as mohoi, por nuk u shpreh në lidhje me këtë. Na i ktheu dokumentet me këtë arsyetim, se bëhet fjalë për të personalisht dhe nuk ka nevojë për prova që të provohet ky fakt. Nëse kjo gjyqtare nuk do të japë dorëheqjen, ne brenda tre ditësh që parashikon Kodi i Procedurës Penale, do të bëjmë kërkimin për përjashtimin e saj”, tha avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.
Sipas avokatit, Gjoka jo vetëm ishte e njëanshme në gjykim, por nuk ishte në kushtet për të qenë gjyqtare, pasi nuk e ka deklaruar këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit.
Në seancën për paraqitjen e informacionit 2-mujor të hetimit nga SPAK, avokatët e dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi, kërkuan shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj klientit të tyre. Më tej, për t’i dhënë kohë avokatëve të Berishës për t’u njohur me disa akte para parashtrimeve të tyre, gjykata shtyu seancën për më 21 maj. (A2 Televizion)