Videoja e përplasjes mes Princit Leka dhe Elia Zaharias, reagon Oborri Mbretëror

Nga A2 CNN
6 Mars 2024, 18:53 | Kronikë

Videoja e përplasjes mes Princit Leka dhe Elia Zaharias, reagon Oborri

Oborri Mbretëror ka reaguar pas publikimit të videos gjatë së cilës shfaqet Princi Leka, gjatë një konflikti me ish-bashkëshorten e tij, Elia Zaharia.

Në reagim, Oborri Mbretëror e hedh fajin tek organet ligjzbatuese për publikimin e videos. Siç thuhet në njoftim, videoja e konfliktit mes ish-bashkëshortëve është dorëzuar në polici për të denoncuar rastin, dhe familja mbretërore dyshon se kanë qenë pikërisht organet e policisë ato që e kanë shpërndarë videon.

Po ashtu, Oborri mbretëror kërkon ndërhyrjen e policisë për fshirjen e pamjeve nga rrjetet sociale. 

Oborri Mbreteror 

"Përshëndetje, siç edhe jeni informuar, Princ Leka pasditen e 5 marsit ështe sulmuar fizikisht me sende të forta nga ish-bashkëshortja dhe ish-vjehrri i tij dhe videot e këtij momenti janë bërë publike në rrjetet sociale.Videot jane dorëzuar vetëm në komisariatin e policisë nga Princ Leka ll Zogu, si provë materiale për dhunën e ushtruar ndaj tij, por pavarësisht se janë kosideruar si nje sekret, këto materiale, së bashku me deklaratën, qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale dhe në medie duke përciell imazhe të pakëndëshme dhe me përmbajtje dhune.Oborri Mbretëror shpreh thellësishtë zhgënjimin nga institucionet ligjzbatuese te të cilat dyshojmë se kanë cënuar të drejtën e anonimitetit, duke shpërndarë videot te të tretë.
Gjithashtu Oborri Mbretëror kërkon ndërhyrjen e policisë dhe institucioneve përkatëse për fshirjen e këtyre imazheve nga rrjetet sociale dhe nga mediet."

Konflikti në familje ka ndodhur pasditen e 5 marsit në rezidencën e familjes mbretërore në rrugën "Murat Toptani". Vetë Leka është larguar nga kjo banesë, pas depozitimit të kërkesës për divorc me marrëveshje në gjykatë.

Sipas kallëzimit të bërë, Princ Leka ka mbërritur në këtë banesë të takojë vajzën e mitur, por është gjendur para fyerjeve të ish-vjehrrit të tij, Gjergj Zaharia. Më pas ai pretendon së është sulmuar fizikisht prej tij dhe se pjesë e agresionit është bërë edhe Elia Zaharia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos