Tre fëmijët e familjes Meta, të akuzuar se kanë ekzekutuar dhe varrosur të atin e tyre në Shënavlash të Durrësit, janë përballur në gjykatën e Durrësit me akuzat dhe caktimin e masave të sigurisë.
Ndryshe nga akuzat e prokurorisë, e cila akuzon për vrasjen e Pëllumb Metës, djalin e madh të familjes Hysen Metën, ndërsa vajzën Hygerta dhe djalin tjetër të familjes, Amarildo, i akuzon për asgjësim dhe fshehje të kufomës të kryer në bashkëpunim. Vetë të akuzuarit gjatë seancës kanë dëshmuar versione të tjera.
Hysen Meta ka mohuar te ketë vrarë të atin duke deklaruar se për këtë ngjarje duhet të flasin ato që e kanë kryer vrasjen, duke nënkuptuar motrën e tij, Hygertën. Ndërsa kjo e fundit ashtu si në momente e para të arrestimit ka pohuar se vrasjen e të atit e ka kryer pasi ai i dhunonte fëmijët dhe nënën e tyre.
Madje në një moment, sipas saj, kishte tentuar të shpërthente edhe bombolën e gazit në shtëpi. Për momentin e vrasjes, Hygerta ka deklaruar se kishte marrë pistoletën që i ati e mbante pa leje për t’i kërkuar llogari se për çfarë e donte armën. Dhe kur i ati i kishte thënë që të largohej nga andej, ajo e kishte qëlluar.
Deklarata kontradiktore të vëllezërve Meta dhe motrës e pranon edhe avokatja mbrojtëse e caktuar kryesisht nga gjykata. Pavarësisht këtyre pretendimeve, prokuroria duket se është e sigurt se vrasjen e Pëllumb Metës e ka kryer djali i madh, Hyseni, ndërsa vajza Hygerta dhe djali tjetër, Amarlido, kanë ndihmuar për zhdukjen e kufomës dhe të provave të tjera në vendngjarje. (A2 Televizion)