Jemi vetëm në ditën e katërt të 2024 dhe janë regjistruar tashmë dy viktima të krimit në familje. Vëllezërit e vrarë në zonën e “Freskut” në kryeqytet janë identifikuar si Vehap Cami, 63 vjeç dhe Lulëzim Cami 68 vjeç.
Nga hetimet paraprake, rezulton se Vehap Cami ka shkuar herët në mëngjes në shtëpinë e të vëllait, Lulëzim i armatosur. Pas një konflikti verbal, Vehapi ka hapur zjarr ndaj të vëllait dhe më pas e ka drejtuar armën ndaj vetes.
Paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një konflikt për çështje pronësie. Viktimat janë nga Bulqiza, ndërsa në momentin e ngjarjes në banesën e Lulëzimit ka pasur familjarë të tjerë, por dy vëllezërit ndodheshin në një ambient më vete.
Në vendin ku ndodhi krimi po vijojnë veprimet hetimore, ndërsa i pranishëm është edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku.
(A2 Televizion)