Botim i ri “Udhëtimi i mbramë i Eugene dhe Helene Pittard në Shqipëri”

Nga Luela Myftari
9 Tetor 2024, 10:32 | Kulturë

Udhëtimi i mbramë i Eugene dhe Helene Pitard në Shqipëri. Ky është titulli më i ri në shqip, por njëkohësisht edhe një zë ndërkombëtar për Shqipërinë, ashtu sikurse ishte profesor Eugene Pittard në Konferencën e Paqes në Paris për shqiptarët, për të drejtat dhe pavarësinë e tyre.

Rreth 1000 faqe të këtij libri rrëfejnë kontributin e çmuar të çiftit Pittard për shqiptarët, jo vetëm në arenën ndërkombëtare, por edhe në themelimin e Kryqit të Kuq dhe krizën e urisë, nxitjen e lidhjeve ekonomike, por edhe artistikisht, pasi koleksioni prej 237fotografish bardh e zi janë një thesar më vete që trashëgojmë nga ato kohë edhe nga Pittard si antropolog.

Libri është botuar në shqip fillimisht, por është tanimë i përkthyer edhe në frëngjisht si një tjetër lidhje që vijojmë të mbajmë me Zvicrën e çiftit Pittard.

“Si ambasadore e Zvicrës jam e nderuar dhe  krenare të ndaj me ju këtë histori të një zvicerani që ka bërë kaq shumë për këtë vend. Pittard është një lidhje e fortë mes dy vendeve tona. Kontributit në diplomaci e ekonomi i shtohet edhe ai i artit, kulturës me fotografitë e shumta si dëshmi e Shqipërisë së viteve ’20, dëshmi që na lidhin akoma më shumë”, tha ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, transmeton A2.

Si miq të çmuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Eugene dhe Helene Pittard vijojnë të frymëzojnë ende sot udhëtarë të botës që dashurohen me kulturën dhe vetë shqiptarët.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos