Dibra është një qytet që lexon dhe e ruan librin. Këtë e vërteton më së miri pasuria që ka biblioteka e këtij qyteti, e cila sapo është rikonstruktuar dhe aty gjenden 74 mijë vepra.
E pranishme këtë të hënë në bibliotekën e këtij qyteti ishte edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila u shpreh se pasuria që ka në libra bashkia e Dibrës është e jashtëzakonshme.
“Ky është një projekt, i cili për Dibrën ka shumë vlerë. Dibranët e vlerësojnë pa masë dhe e vizitojnë. Pasuria që ka në libra bashkia e Dibrës është e jashtëzakonshme dhe zonjat që punojnë këtu i kanë ruajtur me aq kujdes dhe janë shembull për t’u marrë nga qytetet e tjera”, tha Balluku.
Ndërkohë, ministrja Bora Muzhaqi theksoi se kërkesa për rikonstruksionin e bibliotekës është bërë nga të rinjtë e këshillit rinor. “Kërkesa për rikonstruksionin e bibliotekës ka ardhur nga të rinjtë e këshillit vendor rinor, të cilët thanë se qytetit i mungon një bibliotekë. Kryetari e mori këshillën e të rinjve dhe tashmë qytetit i është shtuar vlera”. (A2 Televizion)