Kinemaja verore, 80-vjetori i çlirimit nxjerr nga arkivat filmat shqiptarë

Nga Luela Myftari
21 Maj 2024, 14:54 | Kulturë

140 vende të kinemasë verore në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave janë mbushur plot me admirues të kinemasë dhe të filmave shqiptarë. Nuk ndodh shpesh kjo e sidomos për një produksion që kemi pasur mundësi ta ndjekim ndër vite. Asgjë e re, por një emocion më vete, që këtë herë i bashkohet misionit të dy arkivave, atij të shtetit dhe atij të filmit.

Ne nisim sot një seri aktivitetesh, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit. Këto aktivitete do të zhvillohen këtu, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, por do të mbahen nga DPA-ja kudo nëpër Shqipëri. Me rastin e këtij viti me rëndësi kombëtare, ne përcjellim një mesazh shumë të rëndësishëm: kur atdheu është në rrezik, të rinjtë duhet të dalin përballë tij. Kjo ndodhi 86 vjet më parë dhe kulmoi 80vjet më parë, kur një grup të rinjsh dhe të rejash dolën përballë në mbrojtje të atdheut, kur rrezikohej liria e tij. Janë pikërisht ata që kanë mundësuar që sot të kemi një vend të pavarur që mund ta drejtojnë vetë shqiptarët. Është momenti për të përcjellë këtë mesazh në forma të ndryshme. Do të shfaqen 10 filma që risjellin epopenë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Lavdi dëshmorëve të Atdheut”, tha drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido.

"Jam shumë e lumtur që një listë e përzgjedhur filmash do të shfaqet në DPA. 80-vjetorin e Çlirimit e nisim me 'Tomka dhe shokët e tij'. Në vijim do të kemi filma, si: 'Lulëkuqe mbi mure', 'Nusja dhe shtetrrethimi', 'Gjeneral Gramafoni' etj. Këto filma do të jenë të restauruar. Përmes tyre do mësojmë jo vetëm mbi historinë e vendit, por edhe do të risjellim muzikën, që i është kushtuar Luftës Nacional Çlirimtare”, tha Marinela Ndria nga Arkivi Qendror i filmit.

Pjesë e këtij eventi të parë në kuadër të aktiviteteve që do të mbahen përgjatë gjithë vitit në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit ishte edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

"Jam shumë i lumtur që jam këtu për të përcjellë një mesazh për Luftën Nacionalçlirimtare. Është shumë mirë të flasim për atë moment historik përgjatë epopeve shqiptare për liri dhe pavarësi. Kjo luftë e radhiti Shqipërinë përkrah aleatëve globalë në luftën ndaj fashizmit. Shqipëria u çlirua falë heroizmit të atyre djemve dhe vajzave që morën armët për të dhënë kontributin e tyre. Ka patur shumë përpjekje për të përbaltur këtë luftë, por shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin e ditës së Çlirimit të vendit dhe mbi të gjitha, dinë të njohin kontributin e Luftës Nacionalçlirimtare. Prandaj, aktivitete si ky i sotmi në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave kanë mbështetjen e Komitetit Shtetëror për organizimin e veprimtarive gjatë këtij viti. I nxis institucionet e tjera që të promovojnë vlerat e kësaj lufte, që të mund t'ua transmetojmë brezave."

Jetësimi i kësaj hapësire vjen në DPA, pas prezantimit të sallës së studimeve e shumë shpejt në këtë 75-vjetor të Arkivit edhe me një muze të ri. 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi