Zhvillohen homazhe në nder të aktorit të njohur shqiptar, Mirush Kabashi, i cili ndërroi jetë dje pas një sëmundjeje të rëndë. Homazhet po mbahen në Muzeun Historik Kombëtar, nga ora 10:00 deri në 13:00.
Në shenjë respekti për aktorin, në homazhe kanë marrë pjesë artistë të njohur, kolegë të Kabashit, të afërm, dashamirës dhe përfaqësues të politikës shqiptare.
Vajza e tij, artistë të njohur, dashamirës të artit të tij kanë dhënë mesazhe për kontributin e paçmuar në teatër e kinematografi, por dhe si interpretues i shkëlqyer i poezisë shqiptare.
Kush ishte Mirush Kabashi?
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.
Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.
E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apologjia e fundit e Sokratit”. Që prej vitit 2014 mbante titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Ndonëse komedia dhe satira e bënë të njohur, në thesarin që i lë kulturës shqiptare me interpretimet e tij nuk do të harrohen vargjet poetike që përbashkonin Kosovën nga ku kishte rrënjët dhe Shqipërinë ku jetoi artistikisht e fizikisht.
Vitet e fundit u kujdes që në daljet televizive, në aktivitetet ku ishte i ftuar, të përcillte edhe monologë për shoqërinë. Mesazheve përbashkuese i përgjigjet misioni i tij për të gjetur të zhdukurit në diktaturë, për të treguar fatin e artistit në Shqipërinë e sotme, për një shoqëri më pak të korruptuar, për më pak gabime nga e shkuara e për më shumë të vërteta e humanizëm.
Mirush Kabashi interpretoi për herë të fundit një vit më parë në skenën e Festivalit të Këngës një mesazh të tillë.
Mirush Kabashi do të kujtohet pikërisht për këtë, sepse njëlloj si në jetë që luftonte me punë paragjykimet e diktaturës, luftonte kohët e fundit sëmundjen që e kaploi, luftoi deri në fund në skenë për ta bërë këtë shoqëri më të mirë, përmes artit të tij.
Filmografia
* Kronikë provinciale (2009)
* Ne dhe Lenini (2008)
* Nata (1998)
* Edhe ashtu edhe kështu (1989).... Babai i Almës
* Binarët (film) (1987)
* Telefoni i një mëngjesi (1987)....Kujtimi
* Zëvendësi i grave (1987)......... Lisimak Voci
* Nxënësit e klasës sime (1984)..Mësues Nardi
* Kohë e largët (1983) .........Asketi Lithan
* Dora e ngrohtë (1983) .........Brahushi
* Shoqja nga fshati (1980) .........Nasi (daja i Tirkes)
* Një ndodhi në port (1980) ..........Calamani
* Gëzhoja e Vjetër (1980) .........Bake
* Radiostacioni (1979) ......Një nga tekniket e Radios
* Koncert në vitin 1936 (1978)... Toger Shazivari
* Zani partizani (1976) (TV)....Partizan-vëlla i Zanit
* Emblema e dikurshme (1976) ........Veniamin Papa
(A2 Televizion)