Aktori i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma, një nga interpretuesit më të mëdhenj të vargjeve poetike në trojet shqiptare, një prezantues i artit, që pas diktaturës e veshëm edhe me portretin e mendësinë e Sokratit, është ndarë nga jeta.
Mirush Kabashi nuk është më fizikisht, por përmes krijimtarisë së tij na lë mesazhe të mëdha. Edhe pse në momentet kur citohej si njeriu me biografi të keqe, talenti, rolet si Lisimak Voci, te “Zëvendësi i grave” apo babi i Almës në filmin “Edhe kështu edhe ashtu”, e bënë atë shumë të dashur për shqiptarët.
E ndonëse komedia dhe satira e bënë të njohur, në thesarin që i lë kulturës shqiptare me interpretimet e tij nuk do të harrohen vargjet poetike që përbashkonin Kosovën nga ku kishte rrënjët dhe Shqipërinë ku jetoi artistikisht e fizikisht.
Vitet e fundit u kujdes që në daljet televizive, në aktivitetet ku ishte i ftuar, të përcillte edhe monologë për shoqërinë. Mesazheve përbashkuese i përgjigjet misioni i tij për të gjetur të zhdukurit në diktaturë, për të treguar fatin e artistit në Shqipërinë e sotme, për një shoqëri më pak të korruptuar, për më pak gabime nga e shkuara e për më shumë të vërteta e humanizëm.
Mirush Kabash, interpretoi për herë të fundit një vit më parë në skenën e Festivalit të Këngës një mesazh të tillë.
Mirush Kabashi do të kujtohet pikërisht për këtë, sepse njëlloj si në jetë që luftonte me punë paragjykimet e diktaturës, luftonte kohët e fundit sëmundjen që e kaploi, luftoi deri në fund në skenë për ta bërë këtë shoqëri më të mirë, përmes artit të tij.
(A2 Televizion)