Objekte që datojnë prej shekullit të 13-të e deri pesë shekuj më vonë kur ikonografia shqiptare shënon kulmin e vet, gjenden në një ndërtesë bashkëkohore në Korçë. Ikonat mesjetare që gjenden në këtë muze kanë tërhequr vizitorë të shumtë përgjatë 2023-it, duke e kthyer kështu në një nga oazet a artit që josh më shumë në vend.
"Viti 2023 ka qenë një vit shumë i suksesshëm dhe numërohen mbi 30 mijë vizitorë më shumë janë të huaj, por kemi edhe shtim të vizitorëve vendas. Harmonia midis ndërtesës bashkëkohore dhe ikonave mesjetare është një surprizë shumë e madhe për vizitorët vendas dhe të huaj. Ndihen të kënaqur dhe njihen me vlerat e trashëgimisë tonë kulturore të cilën nuk e kanë njohur më pare. Kjo e bën shumë të vizituar dhe të kërkuar", u shpreh drejtoresha e muzeut Fjoralba Prifti.
Për të tërhequr sa më shumë turistë të huaj e vendas Muzeu i Artit Mesjetar ka çelur gjatë sezonit turistik disa ekspozita me ikona të cilat shfaqeshin për herë të parë.
“Krahas ekspozitës së përhershme ne bëjmë edhe ekspozita të përkohshme. janë çdo vit diku tek 30 ikona që restaurohen dhe më pas e njohim publikun me to. Vizitorët dynden në këtë muze kryesisht gjatë sezonit veror ku njihen ikonat që i përkasin shekullit të 13-të deri në fillim shekullit 20", tha Prifti.
Edhe në ditët e para të këtij viti nuk kanë munguar vizitorët, një pjesë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, po aq sa edhe shqiptarë të cilët jetojnë jashtë.
“Vij nga Italia, akoma do ta vizitoj por duket shumë interesante. Të them të vërtetën interesante ma ka bërë kunati sepse e ka vizituar disa herë, kështu që kurioziteti është rritur tek unë”, shprehet turistja.
"Ky muze kur e kam parë për herë të parë më ka bërë shumë përshtypje, informacioni, ciceroni që flet disa gjuhë të huaja, prandaj kam sjellë motrën dhe tim shoq që jetojnë në Itali për ta parë edhe njëherë”, shprehet një tjetër vizitore.
“Kur futesh këtu të bën përshtypje pjesa e parë holli, të gjitha ikonat dhe ngjyrat e tyre të japin një ndjesi paksa qiellore", shton një tjetër.
Në muzeun e artit mesjetar në Korçë, i vetmi i këtij lloji në vendin tonë ndodhen me shumë se 7200 ikona, 400 prej të cilave janë të ekspozuara për vizitorët. (A2 Televizion)