Nis procesi i rijetëzimit të Kalasë së Pogradecit, tërheqje për turistët

Nga A2 CNN
1 Janar 2024, 14:35 | Kulturë

Kalaja e Pogradecit është një nga asetet më të njohura të trashëgimisë së kulturës në këtë qytet. Kala e cila sipas specialistëve të fushës ka qenë e populluar që në shekullin e 4 dhe të 5 para Krishtit. Sipas arkeologes Froseda Angjellari kjo kala ka në brendësi të saj elementë shumë të rëndësishëm të historisë së këtij qyteti zbulimi i të cila do të sjellë për vizitorët diçka të re në fushën turistike të Pogradecit.

"Kalaja si vendbanim gjurmën më të hershme i ka në shekullin e 5 të para lindjes së Krishtit. Muret janë ndërtuar në shek 4 dhe për 1 mijë vitet në vazhdim sa ajo ma funksionuar janë rindërtuar sërish në antikitetin e vonë diku tek 1500 vjet më parë. Kjo kala konsiderohet një nga vendbanimet e mirëfillta ilire, që do të thotë se ka qenë një qytet i vogël ndoshta një nga qendrat administrative më të rëndësishme të zonës në periudhën Ilire", tha Angjellari.

Kryetari i Bashkisë Ilir Xhakolli thotë bashkia ka një projekt për rijetëzimin e plotë të Kalasë e cila bashkë me Muzeun e Palafiteve dhe lagjet historike do të jenë  qendrat më të vizituara nga vendasit dhe të huajt.

"Këtu do krijojmë një muze me objektet arkeologjike të gjetura më herët por edhe me ato që do të gjenden në vazhdim. Ne jemi në proces edhe të ndërtimit të muzeut të palafiteve që do të jetën në Drilon, këtë vit që vjen ne nisim edhe me dy lagjet historike të Pogradecit ku do të kemi shtëpitë Muze të Lasgushit, Mitrushit, Fototekën Cici pse jo dhe një shtëpi etnografike dhe kështu vizitorët do të kenë një mundësi më shumë për të parë dhe njohur historinë e një qyteti kaq të lashtë", tha Xhakolli.

"Synohet të kthehet i vizitueshëm i gjithë siti arkeologjik, që përfshin sistemimin e sheshit, ndërtimin e një pike panoramike për vizitorët, qendrën arkeologjike për gjetjet si dhe përmirësimi i infrastrukturës për rrugën që të sjell këtu dhe ndriçimin e total. Kjo fazë e parë do përfundojë para sezonit turistik dhe më pas do të ketë edhe faza të tjera", u shpreh Paskalino Ziko, Nënkryetari i bashkisë Pogradec.

Projekti i cili financohet me fondet e BE ka në vetvete ngritjen  e një muzeu arkeologjik, zbulimin e mureve të kalasë dhe rehabilitimin e rrugës drejt këtij destinacioni të ri turistik e arkeologjik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos