Ëndrrat dhe pasionet e rinisë pse jo edhe fëmijërisë, mund të plotësohen edhe gjatë kohës së pensionit. Këtë e vërteton stomatologu i njohur i Gjirokastrës që nga vitet ‘70, Sedat Shameti.
Prej vitesh në pension, Sedati, nuk po pleqëron, por ka hapur ekspozitën e tij me 50 piktura, që shumë mirë mund të cilësohet edhe si ëndrra e tij në sirtar teksa ushtronte profesionin e mjekut.
Si çdo piktor, edhe Sedati ka frymëzimin e tij në punimet që ka realizuar. Hapja e një ekspozite edhe për një piktor profesionist është një sipërmarrje jo e lehtë dhe për këtë, Sedati ka patur mbështetjen dhe inkurajimin e shokëve, por edhe mundime dhe net pa gjumë, që mosha nuk ja lejon t’i kalojë lehtë.
Në fund, ai shprehet se gjithçka që kaloi ja ka vlejtur. Pasi u ka lehtësuar dhimbjet sa e sa pacientëve gjatë kohës që ushtronte profesionin e stomatologut, Sedati tani ndjehet edhe më i plotësuar pasi ka kënaqur me punët e tij edhe publikun artdashës të Gjirokastrës dhe miqtë e tij. (A2 Televizion)