Krim antikushtetues e ka cilësuar Sali Berisha vendimin e qeverisë për të dhënë 4.25 milionë euro nga buxheti i shtetit për koncertin e Kanye West.
Sipas tij, në asnjë rrethanë nuk mund përdoren fondet e emergjencës për një koncert apo ngjarje të ngjashme me të.
“Ky është një krim antikushtetues. Në asnjë rrethanë dhe asnjë rast, një koncerti privat nuk mund t’i jepeshin paratë e emergjencave të një vendi apo paratë e rezervës së Këshillit të Ministrave. Këtë e bën vetëm ai që nuk pyet për Kushtetutë”, tha Berisha, shkruan A2.
Gjatë komunikimit të përjavshëm me qytetarët në mediat sociale, lideri demokrat komentoi edhe protestën e qytetarëve duke u bërë thirrje të jenë sa më shumë në shesh: “E konsiderojmë atë lëvizjen rinore, qytetare më madhështore, më të fuqishme, më të rëndësishme të 35 viteve pas asaj që përmbysi diktaturën komuniste. Kjo lëvizje po përballet, po përballet me më të keqen e diktaturave, diktaturën e banditëve, diktaturën e padrinos. Ndaj edhe çdo shqiptar duhet ta mbështesë pa asnjë rezervë”.
I pyetur për zhvillimet brenda Partisë Demokratike, Berisha konfirmoi ripërtëritjen në secretariat, por dhe primaret për kandidatët për zgjedhjet në bashki. (A2 Televizion)