21 Janari, Berisha: Kërkova hetim ndërkombëtar, e refuzoi Ina Rama

Nga A2 CNN
21 Janar 2025, 13:18 | Politikë

21 Janari, Berisha: Kërkova hetim ndërkombëtar, e refuzoi Ina

Ish-kryeministri Sali Berisha kujtoi ngjarjet e 21 janarit të vitit 2011, ku para zyrës së tij mbetën të vrarë 4 protestues. “Së pari, keqardhjen time e kam shprehur për viktimat jo pas 14 viteve, siç pretendoni ju, apo ata që mendojnë si ju, por e kam shprehur fiks në ora 7 të darkës të asaj nate”, tha Berisha në një konferencë për mediat.
“Së dyti, po atë natë dhe të nesërmen, të pasnesërmen, kam kërkuar një hetim ndërkombëtar. Kam kërkuar jo hetim, por hetim ndërkombëtar të çështjes. Institucionet më serioze ndërkombëtare janë shprehur se ajo protestë e dhunshme kishte agjendë politike. Së treti, edhe njëherë ka një deklaratë të qeverisë së SHBA, në të cilën kërkohet hetimi që nga polici tek organizatori që publikisht dhe botërisht është Edi Rama. Së katërti, ata që nuk duan të mashtrojnë veten dhe nuk duhet t’i përdorin fatkeqësitë e të tjerëve për ushqim politik, duhet ta dinë se në këto 14 vite, prokuroria ka qenë tërësisht nën kontrollin e Edi Ramës. Ishte Ina Rama prokurore, që unë e akuzova për puçiste, që refuzoi prokurorin ndërkombëtar”.

Berisha tha se të gjithë prokurorët që kanë hetuar më parë këtë çështje i ka penguar vetëm Edi Rama. “Por përdorimi politik i kësaj ngjarje tragjike, ku u sollën për qëllime të mirëfillta politike, për të pushtuar kryeministrinë Edi Rama, se donte sipas shumë gjasave të mbante edhe një fjalim, është totalisht dëshmi e keqpërdorimit total të kësaj ngjarje kryekëput për qëllime politike dhe për të fshehur përgjegjësinë e organizatorëve që sollën njerëz në një protestë, më të dhunshmen që ka pasur Shqipëria në 32 vite. Jam shprehur, shprehem dhe do shprehem, mbështes çdo lloj hetimi të kësaj ngjarje, por gjithashtu deklaroj se nuk ka asgjë tjetër vetëm për të shpëtuar përgjegjësinë e atij që organizoi protestën më të dhunshme për qëllime të pushtetit të tij, Edi Ramës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos