“41.3% e degëve në universitet në rrezik mbyllje”, Xhixho akuza Ministrisë së Arsimit për braktisjen e universiteteve

Nga A2 CNN
9 Tetor 2024, 08:45 | Politikë

“41.3% e degëve në universitet në rrezik mbyllje”,

Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka ngritur shqetësimin për braktisjen e universiteteve në vend. Në një postim mëngjesin e sotëm, zv. presidentja e PL-së thekson se kjo është një kambanë alarmi për gjendjen e arsimit sot. Sipas saj 41.3% e degëve janë në rrezik për t’u mbyllur se nuk ka studentë, raporton A2.

“Braktisja masive e universiteteve është kambanë alarmi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi universitar në vend. Viti i ri akademik nisi gjysmak për shkak të mosplotësimit të më shumë se gjysmës së kuotave. Mbyllja e qindra shkollave rrezikon të pasohet nga mbyllja e universiteteve. Shifrat tregojnë gjendjen reale të arsimit të lartë. 1/2 e kuotave në të gjitha universitetet e vendit janë bosh. 41.3% e degëve janë në rrezik për t’u mbyllur për shkak se nuk ka studentë. 42.8% e programeve të studimit që janë prioritet kombëtar rrezikojnë të mbyllen pasi studentët nuk kanë treguar interes për to. Janë 2321 studentë të regjistruar më pak se në vitin 2023”.

Deputetja deklaroi se degët e mësuesisë janë në rrezik mbylljeje, ndërsa akuzon ministrisnë e Arsimit për largimin e të rinjve nga vendi.

“Degët e mësuesisë janë në rrezik mbylljeje. Në nivel kombëtar rrezikojmë të mbetemi pa mësues  fizike, kimie apo matematike. Këtë vit janë regjistruar vetëm  5 studentë në degën e fizikës dhe 8 në atë të kimisë. Kaq mjafton për të kuptuar se arsimi i lartë po shkon drejt humnerës. Qeveria ka dështuar me arsimin, sepse nuk e ka pasur kurrë prioritet. Mashtrimi me bursat për degët prioritare ka prodhuar braktisjen masive të tyre. Ministria e Arsimit nuk ia doli dot kurrë t’u ofrojë të rinjve një alternativë reale kundër largimit nga vendi”.

Ajo theksoi se Partia e Lirisë e ka arsimin një nga pesë prioritetet e saj sepse beson fuqimisht që përmes tij mund të ndalet shpopullimi i vendit.

“Vetëm duke fuqizuar arsimin mund të ringremë Shqipërinë. Ky fuqizim nuk vjen duke folur për suksese imagjinare, por vetëm përmes politikave reale që nisin që nga buxhetimi i arsimit në nivelin 5% e GDP, financimi i kërkimit shkencor e deri te strategjitë specifike për çdo degë e program studimi. Partia e Lirisë e ka arsimin një nga pesë prioritetet e saj sepse beson fuqimisht që përmes tij mund të ndalet shpopullimi i vendit. Rrugë tjetër nuk ka!” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos