Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, duke folur në Samitin e Diasporës, vuri në dukje rrugëtimin e suksesshëm të popullit shqiptar, jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku ata jetojnë.
Për këtë, ai mori si shembull Malin e Zi, ku nuk iu referua vetëm vetes, por nxori në pah faktin se në krye të vendit atje, ku deri para disa vitesh nuk mendohej kjo gjë, është një njeri që ka ardhur pikërisht nga popujt pakicë.
“Në Mal të Zi ka ndodhur diçka që, deri para tri vitesh askush nuk mund ta mendonte, dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarët, por edhe me një popull pakicë. Në krye të vendit ka ardhur një nga popujt pakicë dhe këtë nuk e kam për veten time, por për sfidën e shqiptarëve, që do të kemi në të ardhmen.
Sfida më e madhe në jetë është të mundësh vetveten dhe mendoj që jemi shumë afër saj. Ne kemi treguar që kur kemi vetëbesim, mund të bëjmë mrekulli. Dhe kjo është ajo që kanë bërë shqiptarët.
Sot vetëm kujtoni se çfarë ka qenë 10 apo 20 vite më parë. Unë nuk do të flas si shoku dhe miku i Kryeministrit, por dua të them se sot Shqipëria, mban fjalën në Këshillin e Sigurimit para gjithë botës dhe tregon një leksion moral, politik se si do të krijohet një shoqëri paqësore, perëndimore dhe moderne.
Idenë që kam krijuar dhe do të vijoj të aplikoj në Malin e Zi është se shqiptarët shkojnë me një vetëbesim të plotë si qytetarë, si evropianë, të gatshëm të ballafaqohen me të gjithë të tjerët. Ideja është që i gjithë kombi ynë të jetë bashkë në Bashkimin Evropian, sepse atje ka vend plot. Të tregojmë që ne si një popull i moçëm, historik e kemi vendin tonë atje.
Jam i sigurt që ky Samit i Diasporës tregon se një sfidë e madhe është duke u përfunduar. Tashmë besoj se nuk kemi më probleme mes nesh, dhe jam i bindur që deri sa të vijë samiti i katërt, të jemi të gjithë bashkë. Ëndrra e madhe është që të gjithë shqiptarët të jemi në Bashkimin Evropian”, tha ndër të tjera në fjalën e tij Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç. (A2 Televizion)