Aleati i PD: Berisha ka kontakte me ndërkombëtarët! Non-grata, gabim që Amerika s’e pranon dot

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2023, 14:30 | Politikë

Kryetari i partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova komentoi në “Ditari” i A2CNN propozimin e aleatëve të Partisë Demokratike, ku ai bën pjesë, për themelimin e një federate, me misionin për të bashkuar opozitën.

I pyetur nëse do të jetë Sali Berisha “prijësi” i kësaj federate, Starova tha se është ende herët për të folur për vendime të kësaj kategorie, por zbuloi se ish-kryeministri mbetet në kontakte të vazhdueshme me faktorin ndërkombëtar.

Pavarësisht se është shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, sipas Starovës, Berisha në çdo lëvizje që bën vlerëson edhe ndikimin e këtyre vendeve partnere.

Berisha është ai që është, njeri me shumë përvojë e dije. Është histori e gjallë e gjithë opozitarizmit në Shqipëri.  Ndoshta Berisha vetë ka idera të tjera pasi është njeriu që e njeh shumë mirë situatën, gjendjen politike dhe atë se çfarë duhet bërë. Mos të harrojmë diçka, Berisha është vazhdimisht, përkundër asaj që duket dhe komentohet sidomos me të keqe nga krahu i majtë, është vazhdimisht në kontakt dhe lidhje me faktorin ndërkombëtar në Europë dhe në Amerikë, në çdo lëvizje që bën. Ne do të presim idetë interesante që mund të ketë. Non-grata është një gabim që është bërë dhe një shtet i madh, ashtu si një njeri i fortë nuk i pranon gabimet. Berisha me të mirat dhe këqijat që ka është simbol i opozitarizmit. Ai ka rolin e tij, ka bërë gabime, pa diskutim i ka pranuar edhe vetë. Por në asnjë mënyrë nuk është i korruptuar dhe nuk është i korruptuar, njeri që është përpjekur të vrasë kundërshtarë etj..., që janë absurditet që s’duhet t’i besojë askush.

Sa i përket nismës për vettingun në politikë të propozuar nga PD zyrtare që drejtohet nga Lulzim Basha, ai tha se është “një flluskë sapuni e frikshme”.

Nisma e vettingut të politikanëve më duket një fluskë sapuni e frikshme, e pamotivuar fare dhe e tepërt. Sepse të gjithë mekanizmat ekzistojnë dhe nëse këta mekanizma nuk e kryejnë si duhet punën, ky është faji i tyre. Pyetja që shtrohet për nismën që ai ka marrë por që mua s’më duket nismë me vend, është se nëse ju kërkoni vetting të politikanëve duke nënkuptuar mosbesim te këto institucione që përmendët, atëherë ku e vendosni besimin që keni që vettingun do ta bëjnë njerëz të besueshëm. Është e drejta e tij të thotë çfarëdo lloj ideje edhe në kufijtë e paarsyeshmërisë, por kjo ide nuk vlen.

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Edicioni informativ nga Suela Demiri