“Berisha-Basha t’i thërrasin arsyes”, aleatët e PD propozojnë krijimin e një federate opozitare

Nga Ervin Koçi
24 Nëntor 2023, 12:10 | Politikë

Opozita duhet të organizohet në një federatë për të unifikuar qëndrimet përballë mazhorancës në parlament. Me këtë synim, platforma e prezantuar nga partitë e vogla për tejkalimin e krizës në të cilën është futur opozita, parashikon bashkimin e qëndrimeve duke ftuar të gjithë spektrin opozitar që të bëhet pjesë e saj.

“Institucionalizimi i federatës të opozitës ku përfshihen të gjithë faktorët opozitar dhe relevant opozitar të cilët marrëdhënien opozitare e çmojnë si detyrim dhe jo marrëveshje që fuqizojnë qeverisjen dhe anti-kushtetutshmërinë.”

Fatmir Mediu – Kryetari i Partisë Republikane

Pjesë e platformës ishte edhe tejkalimi i krizës së përfaqësimit në komisionin e reformës, ku si zgjidhje u propozua vota mes deputetëve të opozitës.

“Anëtarët zgjidhen me 2/3 e deputetëve. Nëse në dy raunde nuk zgjidhet bashkëkryetari me 2/3, atëherë  zgjidhet me shumicën e thjeshtë. Për arsye se bashkëkryetari nuk përfaqëson interesin e një partie por të gjithë opozitën.”

Fatmir Mediu – Kryetari i Partisë Republikane

Dialogu me mazhorancën duket i vështirë dhe për ta mundësuar, kërkohet ndihmë nga të huajt.

“Dialogu pozitë, opozitë, me prezencë të ndërkombëtarëve, me trupin diplomatik në Tiranë për zgjidhet që ofrojmë duke i parashtruar edhe me shkrim për të evituar çdo lloj keqinterpretimi.”

Fatmir Mediu – Kryetari i Partisë Republikane

Në prezantimin e kësaj platforme nuk ishte i pranishëm as njerëzit e Bashës e as të Berishës, të cilët numerikisht përfaqësojnë edhe peshën më të madhe opozitare në vend. Agron Duka kërkoi prej tyre të lënë mënjanë të inateve personale pasi në të kundër sipas tij, 2025 do të shënojë humbjen e radhës.

“Edhe Basha edhe Berisha si ndjekës të mirë të televizionit i kanë dëgjuar propozimet tona. Kemi shpresë t’i thërrasin arsyes se në këtë gjendje të opozitës, e shpërbërë, e ka të vështirë të mundë këtë mega-mazhorancë. Të gjithë duhet të sakrifikojmë pak nga karakteri jonë...”

Agron Duka – Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste

Kjo platformë është firmosur edhe nga Vangjel Dule i PBDNJ-së dhe pesë parti të tjera jo parlamentare. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani