Në një takim me simpatizantët e Partisë Demokratike në Elbasan, Sali Berisha rrëfeu se një nga arsye se përse u shpall non grata nga administrata amerikane ishte pasi në vitin 2021 ai refuzoi të pranonte një propozim për koalicion të përbashkët mes PD edhe PS.
Sipas Berishës, nëse kjo gjë do të ndodhte atëherë vendin do ta gjente gjëma.
“Tre ditë para zgjedhjeve më vjen i dërguari i tij dhe i Edi Ramës dhe më pyet; zoti Berisha, po nuk u fituan këto zgjedhje, çfarë mendon ti për koalicionin e madh. Çfarë i them unë? Thotë që PD e PS të bëjnë koalicion. Jo i them unë, nuk mund të pajtohem me një gjë të tillë sepse është një gjëmë për vendin. Të krijojnë dy partitë një koalicion, rrinë e vjedhin bashkërisht dhe e shkatërrojnë, nuk lënë asgjë.
Më thotë, po mirë nuk e do, por nëse bëhet çfarë do të bësh? Nëse bëhet, unë do të bëj çfarë të mundem kundër tij. Unë nuk do të pajtohem kurrë me të. Dhe kjo arsye, ishte shkaku i vërtetë i shpalljes non grata të Sali Berishës. Sepse nëse do pranoja do të kishim një opozitë në kontroll të tij, që bashkëqeveriste, që u pinte gjakun dy herë më shumë qytetarëve të Elbasanit dhe Shqipërisë dhe një sundim i egër i paparë”, tha Berisha. (A2 Televizion)