Sali Berisha tha që opozita do ta kundërshtojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e qendrës së pritjes së azilkërkuesve në Shëngjin.
“Do të përgatitet teksti dhe do të dërgohet në Kushtetuese. Ne mendojmë se ka një shkelje serioze të kushtetutës, firma e Edi Ramës. Mendojmë se ka probleme serioze të të drejtave të njeriut, ndaj dhe duke mbajtur qëndrimin tonë negativ, opozita do t’i drejtohet gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen.
Ndërsa qëndrimi i Edi Ramës dhe Linda e parlamentit, është më antidemokratik, antiligjor, antikushtues që është mbajtur ndonjëherë. Beteja vazhdon pa kthim”, tha Berisha pas mbledhjes me një grup deputetësh të Partisë Demokratike në Kryesinë e Kuvendit.
Sipas marrëveshjes së firmosur më 6 nëntor në Itali, vendi fqinj do të ngrejë në Gjadër të Lezhës një qendër për pritjen e deri në 3 mijë refugjatëve në muaj, gjatë kohës që shqyrtohet kërkesa e tyre për azil.
Refugjatët do të hyjnë në Shqipëri përmes portit të Shëngjinit ndërsa shpenzimet e gjithë këtij operacioni, do të mbulohen nga qeveria italiane. Për këtë vendim, asokohe Kryeministri Rama tha se Shqipëria ia kishte borxh Italisë, për gjithçka ka bërë për emigrantët shqiptarë në vite. Para se të hyjë në fuqi, marrëveshja do të kalojë më parë në Kuvend. (A2 Televizion)