Si bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj tha se mazhoranca nuk është e interesuar për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Në Ditarin e Pasdites, me gazetaren Bruna Çifligu, Alibeaj u shpreh se mazhoranca po synon që Komisioni i Reformës Zgjedhore të dështojë dhe ta kalojnë më pas për votim në Komisionin e Ligjeve, aty ku ka dhe shumicën. Një gjë e tillë është absurde për Alibeaj, por thotë se për fat të keq nuk do çuditej aspak nëse kjo do të ndodhte, pasi e përkufizon mazhorancën si “pa skrupuj”.
“Duan ta dështojnë Komisionin e Reformës Zgjedhore, duan ta kalojnë te ligjet ku kanë shumicën dhe nuk ka asnjë barrierë për të peshkuar deputetë, nuk do e uroja, por duke e njohur diapolizimin e mazhorancës, ajo nuk ka skrupuj për ta bërë këtë, duan të ruajnë ende atë deformim të madh kushtetues që iu bë sistemit me ndryshimet e 2008. Kjo është të mbyllësh sistemin politik shqiptar”, u shpreh Alibeaj.
Kjo përgjigje vjen edhe pas deklaratave të artikuluara edhe më herët nga vetë kryeministri Edi Rama, që ka thënë se ky është kundër këtyre Komisoneve, duke argumentuar se do duhet të lënë pas të shkuarën dhe reforma të tilla të kalojnë përmes Kuvendit. (A2 Televizion)