Begaj pret homologun sllovak, Pelegrini: Pa Shqipërinë, projekti europian nuk është i plotësuar

Nga Arestina Skënderi
28 Mars 2025, 14:59 | Politikë

Për herë të parë një president sllovak viziton Shqipërinë. Peter Pellegrini u prit në një ceremoni zyrtare nga homologu i tij, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shkruan A2 CNN. Në deklaratën e përbashkët, Kreu i Shtetit shqiptar shprehu vlerësimet për mbështetjen që Sllovakia po jep ndaj vendit tonë sa i takon rrugëtimit drejt Bashkimit Europian.

“Ne bashkëpunimin shumëpalësh i shpreha mirënjohje për mbështetjen që Sllovakia i ka dhënë Shqipërisë në institucionet europiane. Bota po përjeton kohë të trazuara. Ne besojmë fort, dhe sot gjetëm dakordësi mes nesh se sfidat zgjidhen me përgjigje të unifikuara dhe të bashkuara rreth vlerave europiane”, tha Begaj.

Unioni Europian nuk do të jetë i plotësuar, sipas presidentit sllovak Pellegrini, nëse nuk përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë.

“Unë do të doja ta thosha qartë: Pa zgjerim të BE-së, pra duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, projekti europian nuk do të jetë i plotë. Ne do të jemi aleatët tuaj për integrimin dhe një avokat i fortë i juaji në këtë rrugë. Në vitin 2018 isha kritik ndaj jush, por sot Shqipëria ka bërë një progres të madh dhe vlerësojmë reformat dhe përmirësimin në të gjitha fushat”, tha Pellegrini.

Ai theksoi se mbështetja e Sllovakisë ndaj Shqipërisë për aderimin në BE i shkon vetëm popullit shqiptar dhe jo zyrtarëve që drejtojnë vendin në momente të caktuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos