Ish-kryeministri Sali Berisha tha se personat e përfshirë në një atentat në Lezhë disa ditë më parë janë të lidhur me ish-deputetin Arben Ndoka dhe janë të njëjtët me ata që tentuan të vrisnin Salvator Kaçin.
“Miqtë e mi, në këtë regjim të urryer për çdo njeri që i beson lirisë dhe dinjitetit njerëzor, vrasja, plumbat, breshëritë nga pushtetarët fshihen njëlloj si në kohërat më të errëta të diktaturës komuniste.
Vetëm 4-5 ditë më parë, në Lezhë u shkrehën breshëri ndaj një qytetari me mbiemër Puka. Këto breshëri u shkrehën nga drejtori i Policisë Bashkiake, nga një akraba e afër e kryebosit të krimit të Lezhës, Arben Ndokës. U shkrehën nga ata kriminelë që i dolën para, i zunë pritë, e morën në shenjë Salvator Kaçin dhe djalin e tij ditën e zgjedhjeve”, akuzoi Berisha.
“Policia me Bashkinë, në garë për të fshehur para qytetarëve shqiptarë vrasjen, krimin. Çfarë më rikujtoi kjo mua? Më rikujtoi kohërat më të zeza në diktaturë kur diktatori ose mëkëmbësi i tij, përdornin si zagarë për gjah oficerët, dhe kishte rastisur që çiftja apo pushka të shkrehej mbi ta dhe jo mbi gjahun që ata ndiqnin. Fshihej, pëshpëritej, por gjyq nuk zhvillohej kurrë. A nuk është kjo e njëjtë? Afër një shkolle u qëllua një qytetar dhe hapat e parë u bënë të fshihej. Po pse të fshihej? Sepse krimineli që qëlloi ishte zyrtar. Dhe jo vetëm zyrtar, por edhe i afërm i Arben Ndokës”. (A2 Televizion)