Gjykata e Apelit vendosi t’i japë vulën dhe logon e Partisë Demokratike Sali Berishës. Vendimi që ndau se kujt i përkiste PD mes dy grupimeve që e pretendonin, atij të Lulzim Bashës nga njëra anë dhe grupit të Rithemelimit të Sali Berishës nga krahu tjetër, u shpall nga një treshe gjykuese e përbërë nga gjyqtaret Alma Ahmeti, Elona Toro e Iliba Bezati.
Në vendim trupi gjykues vlerësoi të mos pranojë ankimin e bërë nga Enkelejd Alibeaj, kundër verdiktit të gjyqtarit të Tiranës Agron Zhukri, të 25 marsit 2022.
Në këtë mënyrë, Apeli la në fuqi vendimin e gjyqtari Zhukri që ligjëroi Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit 2021 të PD, të thirrur nga Sali Berisha, ku u vendos mes të tjerash edhe shkarkimi i Lulzim Bashës nga kryesimi i kësaj force politike me thirrjen e referendumit të 18 dhjetorit.
Gjatë seancës në Apel, Ivi Kaso, si përfaqësues i Rithemelimit kërkoi mospranimin e ankimit, me pretendimin se ishte firmosur nga deputeti Alibeaj, që nuk kishte qenë palë në proces. Ndërsa përfaqësuesit e grupimit të Bashës, kërkuan pushimin e gjykimit, pasi sipas tyre, Rithemelimi nuk kishte legjitimitet.
Vendimi i Apelit, për njohjen e Rithemelimit si zotërues të PD-së u prit me brohorima nga deputetët e pranishëm në sallë, ndërsa jashtë saj, nuk u humb kohë për të ftuar opozitarët në të njëjtën llogore.
Ankimi i bërë nga deputeti Enkelejd Alibeaj u rigjykua në Apel, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë të dhjetorit të vitit të shkuar, në thelbin e të cilit ishte fakti se në rastet e regjistrimit të ndryshimeve statutore të partive, kemi të bëjmë vetëm me një palë dhe jo disa të tilla.
Në vendimin e rikthimit në Apel, gjykata e Lartë nënvizonte se Apeli i kishte të gjitha mundësitë ligjore të zgjidhte mosmarrëveshjen dhe vendimi i këtij 11 qershori i dha edhe zyrtarisht Sali Berishës Partinë Demokratike. (A2 Televizion)