Deputeti demokrat Flamur Noka ka reaguar pas mbylljes së seancës plenare dhe largimit të mazhorancës nga salla me argumentin e fjalorit të Ina Zhupës kundrejt deputetit Erion Braçe. Në një deklaratë për mediat, ai ka dënuar fjalorin e deputeti socialist ndaj Ina Zhupa, ndërsa fjalori i kësaj të fundit, sipas tij ishte korrekt dhe normal.
“Kanë filluar agresojnë me fjalor banal opozitën. Jemi këtu për të dënuar fjalorin e përdorur nga Erion Braçe ndaj koleges sonë Ina Zhupa. Fjalori është i denjë për kanalet e horrave dhe krimit dhe jo i denjë për një përfaqësues të popullit. Ajo që na shqetëson më shumë është që këto zonja deputete të aleancës së rilindjes që dikur, kur ne buzëqeshnim në formë që atyre nuk u pëlqente na akuzonin që ironizojmë zonjat. Sot duartrokitën Braçen në vend që ta dënojnë”.
Sipas Nokës, vendimi i largimit nga salla i mazhorancës dhe mbyllja e seancës plenare u bë për të mbrojtur ministren Manastirliu që sipas tij Ina Zhupa po e vinte me shpatulla aps muri oër arsimin dhe vrasjen e 14-vjeçarit.
“Zonja Zhupa po e vinte me shpatulla për muri ministren Manastirliu si për situatën e arsimit dhe për vrasjen e 14-vjeçarit. Zhupa përdori fjalor korrekt e krejt normal. Në anët tona i thonë; mos ha miza. Nëse mizat e shqetësojnë është çështje e tyre, por fjalori i zonjës Zhupa ishte korrekt, ndërsa i kolegut ishte fjalor horrash e banditësh, fjalor rruge jo i parlamentit. Të trembur nga situata politike ata mbyllën parlamentin për të shpëtuar Manastirliun, çfarë tregon kjo që ky parlament nuk është i shqiptarëve? Opozita vazhdon rrugëtimin e saj atyre u ka hyrë tartakuti. Ne kemi mision, por do t’i shihni që jo vetëm do ikin nga parlamenti, por s’do gjejnë vrimë ku të hyjnë nga vota e qytetarëve”. (A2 Televizion)