Dakordësi për Komisionet Hetimore, Çuçi: Grup pune për ligjet me 3/5

Nga A2 CNN
15 Mars 2024, 16:33 | Politikë

Kreu i grupit të socialistëve Bledi Çuçi konfirmoi pas Konferencës së Kryetarëve se është arritur dakordësia me opozitën për ngritjen e dy komisioneve hetimore, kërkesë kjo e kërkuar prej muajsh sidomos nga deputetët e Rithemelimit, të cilët bllokuan punimet normale të Kuvendit për 5 muaj.

Çuçi shtoi se emrat që do të përbëjnë këto komisione do të kalojnë brenda javës, teksa sqaroi se nuk do të ketë një nënkomision, siç ishte deklaruar më herë, por një grup pune brenda komisionit të ligjeve, i cili do të ketë numër anëtarësh të njëjtë dhe që do të punojë për arritjen e konsensusit për ligjet që kanë nevojë për 3/5.

“Dialog politik për ligjet që kërkojnë 3/5 dhe ato që janë pjesë e agjendës së integrimit. Emrat për komisionet do të kalojnë javës tjetër, do t’i kalojmë javës tjetër. Nuk ka asnjë nënkomision sepse e keni keqkuptuar. Ne mandatuam sot komisionin e ligjeve, dhe brenda tij do të ngrihet një platformë, një mekanizëm, një grup pune. Do e vendosë komisioni i ligjeve sa anëtarë do të jenë, do të ketë numër të barabartë dhe konsensus”, tha Çuçi.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dy komisionet hetimore për të cilat u ra dakord mes mazhorancës dhe socialistëve, atë për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS dhe koncesioneve në shëndetësi.

A2 CNN ka siguruar vendimin për ngritjen e komisionit për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS, i cili do të ketë si objekt të veprimtarisë së tij shqyrtimin e çështjeve lidhur me kontrollin e veprimtarisë së institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e sistemit TIMS dhe vlerësimin e nevojës për marrjen e masave administrative apo ndërhyrjet ligjore në legjislacionin përkatës në fuqi.

Komisioni do të përbëhet nga 15 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe gjashtë anëtarë propozohen nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe 8 anëtarë propozohen nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Puna e komisionit do të zgjasë 4 muaj, por mbetet e hapur mundësia për shtyrjen e këtij afati.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli