Përplasjen me kolegun e tij nga grupimi i Gazment Bardhit në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së së Rithemelimit, Tritan Shehu, e ka mohuar në një prononcim për mediat.
Edhe pse tonet e larta që shoqëruan debatin e tij me Bledion Nallbatin, për të cilin “mollë sherri” u bë Sali Berisha, u dëgjua deri në ambientet e jashtme të selisë blu, Shehu u shpreh se “nuk di gjë për këtë”.
Sipas deputetit demokrat, as “çimkat nuk kanë punuar mirë kësaj radhe”.
“Nuk e di këtë gjë. Siç duket çimkat nuk kanë punuar mirë kësaj radhe. Nuk merrem me çimkat unë. Unë flas mendimet e mia. Realisht duhet të koncentrojmë aksionin tonë në atë që është ngjarja më e rëndë ndaj opozitës, që është izolimi politik i kryetarit të partisë. Ky aksion duhet bërë i tillë brenda dhe jashtë Parlamentit, me ndërkombëtarë, në çdo tribunë dhe mundësi që kemi. Forma që duhet bërë mbetet për t'u diskutuar së bashku. Unë nuk thashë as kaos, as bllokim seance. Unë thashë që duhet koncentrim për të kundërshtuar burgosjen e kryetarit të partisë. Kështu do të vepronte çdo parti demokratike ku izolohet kryetari i saj. Mos të kemi iluzione, mos të fshihemi pas gishtit. Kjo është kauza jonë. Është e larmishme, e gjerë nuk është vetëm në parlament”, u shpreh Shehu.
Ndërkohë, Gazment Bardhi pasi është mandatuar nga grupi parlamentar për të marrë pjesë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, është larguar nga selia duke shmangur mediat. (A2 Televizion)