Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi insiston se oferta e mazhorancës për ngritjen e 2 ose 3 komisioneve parlamentare për të zgjidhur ngërçin parlamentar nuk është e duhura dhe nuk mjafton.
I ftuar në Debat me Alba Alishanin, Këlliçi deklaroi se tashmë me ligjin e ri të komisioneve hetimore opozita i ka humbur disa nga atributet e saj, teksa shtoi se duhet zgjidhur dhe çështja e komisionit të reformës zgjedhore dhe bashkëkryetarit të saj.
“Në dijeninë time kërkesat tona nuk kanë ndryshuar, kryefjala mbeten komisionet hetimore dhe zgjidhja e ngërçit në komisionin e reformës zgjedhore. Nesër duhet të shohim qëndrimin. Zgjidhja është në dorën e mazhorancës. Nëse pranojnë të zbatojnë Kushtetutën jemi të gatshëm. Duhet të presim zhvillimet e mëtejshme. Vetëm 2 komisione hetimore nuk e zgjidhin ngërçin. Rama ndërroi ligjin për komisionet hetimore dhe tashmë normaliteti nuk mund të vendoset vetëm me dy komisione hetimore”, tha Këlliçi. (A2 Televizion)