Deklaratat e Escobarit, Berisha: Sa keq që pas 30 vitesh një burokrat u kujton shqiptarëve barin

Nga A2 CNN
21 Maj 2024, 15:40 | Politikë

Deklaratat e Escobarit, Berisha: Sa keq që pas 30 vitesh një burokrat

Kreu i Rithemelimit ka reaguar pas deklaratave të bëra nga Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, gjatë një interviste me gazetaren Ilva Tare.

Ndër të tjera, Escobar teksa fliste për opozitën tha se uron që ky kamp të mos zgjedhë një lider “që na kujton kohët e vjetra të Shqipërisë së viteve ’90.”

“Kam shpresë se me kalimin e kohës, partia opozitare kryesore në vend, do ta gjejë rrugën e saj,” shton ai.

Nga ana tjetër, Berisha, i kujton Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, se vitet ’90 kanë qenë “vitet e zgjimit dhe të daljes nga diktatura për Shqipërinë.”

Po ashtu, Berisha thotë se koha më e keqe e shqiptarëve, është ajo kur “opozita ishte e ndaluar me ligj dhe më pas ajo që e ktheu opozitën në një fasadë.”

Berisha kujton gjithashtu edhe deklaratën e bërë nga ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim kur ju risolli në vëmendje demokratëve, sloganin propagandistik të kohës së Komunizmit.

"Në atë kohë James Baker do u thonte shqiptarëve: “Ju keni të drejtë të zgjidhni liderët tuaj”! Sa keq që pas 30 vjetesh një burokrat u thotë atyre se nëse zgjidhni atë që dëshironi do të hani bar! Jam i sigurt që shqiptarët dhe demokratët e kanë shumë të thjeshtë zgjdhjen mes këtyre dy modeleve."

REAGIMI I PLOTË

"Në një intervistë të tij, dhënë gazetares Ilva Tare, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit z. Gabriel Eskobar ndër të tjera ka deklaruar: “Dhe më duhet të them, shpresoj që zgjedhja për drejtimin të mos jetë dikush që na kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90. Kështu që unë shpresoj se përfundimisht partia kryesore opozitare do ta gjejë rrugën e saj”.

Me këtë rast i rikujtoj z. Eskobar sa vijon: Koha më e keqe e shqiptarëve kanë qenë ajo kur opozita ishte e ndaluar me ligj dhe më pas ajo që e ktheu opozitën në një fasadë. Në një vend demokratik opozita zgjidhet me votë dhe nuk emërohet me kërcënimet e tipit të Enver Hoxhës për të ngrënë bar. Qytetarët opozitarë me votën e tyre në dy palë zgjedhje pavarësisht manipulimeve, heqjes arbitrare të logos së përfaqësimit, mungesës së plotë të fondeve, komisionerëve dhe numëruesve, kërcënimeve të turpshme, kanë treguar me kurajo se kush është përfaqësuesi i tyre legjitim. Ata që kërkojnë opozita të emëruara nuk i shërbejnë demokracisë, por putinizimit.

Sa për kujtesë vitet ‘90 kanë qenë vitet e zgjimit dhe daljes nga diktatura. Vitet kur Partia Demokratike udhëhoqi revolucionin demokratik të përmbysjes së diktaturës më të egër të Hitlerit shqiptar të pas luftës, Enver Hoxhës dhe kalimin e vendit nga monizmi në demokraci. Në atë kohë James Baker do u thonte shqiptarëve: “Ju keni të drejtë të zgjidhni liderët tuaj”!

Sa keq që pas 30 vjetesh një burokrat u thotë atyre se nëse zgjidhni atë që dëshironi do të hani bar! Jam i sigurt që shqiptarët dhe demokratët e kanë shumë të thjeshtë zgjdhjen mes këtyre dy modeleve."

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi