Deputetët e Partisë Demokratike kërkuan sërish shtyrjen e afatit të Komisionit Hetimor për dy koncesionet në shëndetësi, check-up dhe sterilizimin.
Për demokratët marrja e dëshmive të biznesmenes Vilma Nushit dhe kryeministrit Edi Rama është jetike për punën e komisionit. Pavarësisht kësaj, deputeti socialist Plarent Ndreca la të kuptohet se kërkesa e tyre nuk do të pranohet.
“Puna e këtij komisioni nuk duhet të mbyllet pa dëshminë e Vilma Nushit dhe Edi Ramës. Unë gjykoj që Vilma Nushi duhet të vijë këtu, nuk mbyllet ky komision pa dëshminë e saj”, theksoi Albana Vokshi.
“Ju thoni që është kontributore e PS, ndaj duhet të vijë këtu”, u shpreh Ndreca.
Teksa në sallë vijonte debati mes dy kampeve, dëshmitari i parë që duhet të pyetej nga anëtarët e komisionit, biznesmeni Ilir Rrapaj vijonte të qëndronte pas derës, nën shoqërinë e deputetit socialist Vullnet Sinaj.
Ky fakt acaroi kryetaren e komisionit Albana Vokshi, e cila kërkoi shpjegime, por përgjigjen e mori nga vetë deputeti socialist.
Pas largimit të Sinajt, biznesmeni Ilir Rrapaj i shoqëruar nga forcat e policisë nisi dhënien e dëshmisë. Pronari i kompanisë ‘SaniService’, e cila në vitin 2015 fitoi koncesionin 10 vjeçar për sterilizimin u arrestua nga SPAK në gusht të viti 2023, së bashku me ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
“Deri në gusht 2023 kisha dijeni se kush ishte dhe çfarë ishte. Në momentin e arrestimit. Tani kam 15 muaj që ndaj të njëjtën rezidencë. E tani mund të them që edhe e njoh. Nuk kam pasur asnjë lloj miqësie e asnjë lloj njohje”, u shpreh biznesmen i akuzuar nga SPAK, Ilir Rrapaj.
Rrapaj mohoi akuzat e ngritura ndaj tij për koncesionin e sterilizmit, duke shtuar se është një biznesmen që aktivitetin e ka shtrirë në Itali edhe në fushën e shëndetësisë. (A2 Televizion)