Çështja “Partizani”, Argita Malltezi me avokatët: Asnjë provë nga Prokuroria

Nga A2 CNN
12 Mars 2024, 14:23 | Politikë

Argita Malltezi, e bija e Sali Berishës, doli në një konferencë për shtyp me gazetarët, e shoqëruar nga avokatët që mbrojnë ish-kryeministrin dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, në çështjen Partizani.

Sipas tyre, gjate dy muajve të fundit, asnjë provë e re nuk është gjetur nga Prokuroria që të justifikojë vijimin e masave të ndalimit ndaj Berishës dhe Malltezit.

“Vijimi i hetimeve ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha, apo Jamarbër Malltezit, vijon të tregojë se nuk ka asnjë provë, fakt, dokument apo dëshmi që të tregojë qoftë edhe shkeljen më të vogël ligjore prej Berishës apo Malltezit në atë që njihet si çështja “Partizani”. Ky vijim hetimesh, ose duhet të gjenerojë prova, ose duhet të pranohet publikisht që masa e arrestit nuk ka synim realizimin e procesit të hetimit, por goditjen e opozitës, për qëllime politike të pushtetit”, tha Malltezi.

Sipas avokatit Genc Gjokutaj, në 1600 faqe të reja të dorëzuara së fundmi nga SPAK nuk ka asnjë provë apo fakt të ri që të justifikojë masën e sigurisë. “Sali Berisha mbahet në arrest shtëpie vetëm me urdhër politik të Edi Ramës”, tha ai.

Për avokatin tjetër, Sokol Mëngjesi, ky është një rast unikal. “Ndoshta edhe në botë, ku akuza e korrupsionit pretendohet të jetë konsumuar me faktin e miratimit të ligjeve dhe akteve nënligjore, të cilat edhe sot janë në fuqi, nuk janë kontestuar me ndonjë mjet ligjor, apo qoftë edhe politikisht nga opozita e kohës për të cilën flitet. Ky këndvështrim minon demokracinë dhe procesin e politikbërjes. Pra, fakt penal nuk ekziston”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli