Ish-kryeministri Sali Berisha, ka ngritur dyshime të tjera në lidhje me deklaratat ish-numrit dy të qeverisë, ministrit Arben Ahmetaj për aferën e inceneratorve.
Nga ballkoni i banesës së tij, ai tha se deklarata e Arben Ahmetajt mund të lidhet me firmosje në dokumente me revole të vëna pas kokës.
“Të gjitha këto akte të rënda kriminale, ne i dinim para intervistës së Arben Ahmetaj. Por llahtaria që njoftoi Arben Ahmetaj lidhet me diçka shumë te keqe që ne nuk dimë. Ajo mund të lidhet me vrasje, murosje, apo zhdukje që ne nuk dimë asgjë. Ajo mund të lidhet me firma të vendosura në dokumente me revole pas koke që ne nuk dimë asgjë. Ajo mund të lidhet me kontot bankare të mbi 100 milionë euro të Ramës dhe Veliajt që ai i ka zbuluar. Çdo komb evropian do të ja nxirrte për hundësh brenda 24 orëve, veprimet e llahtarshme të kryeministrit të vet, të denoncuar nga zëvendësi i tij.”
Edhe pasditen e kësaj të premteje, Berisha u ndal sërish te rëndësia e 20 shkurtit, datë në të cilën sipas kreut të Rithemelimit nuk do të ketë thjesht protestë.
“Me 20 shkurt kjo qeveri paralizohet gjer në rrëzimin e saj, pa kthim mbrapa.” (A2 Televizion)