Sondazh: Të bëhesh i pasur në Shqipëri është:
  • E lehtë 9%
  • E vështirë 64%
  • E pamundur 27%

Flakadanë e tymuese në Kuvend, deputeti demokrat: Opozitës nuk i ka ngelur gjë tjetër veç kësaj sjelljeje

Nga A2 CNN
4 Dhjetor 2023, 13:42 | Politikë

Deputeti demokrat, Lefter Gështenja, deklaroi se opozitës nuk i ka ngel gjë tjetër veç flakadanëve dhe tymuese në Kuvend, në një kohë që mazhoranca shkel kushtetutën dhe kërkon t’i mbyllë gojën. Në studion e Ditarit në A2 CNN, ai tha se mazhoranca nuk e lejon ngritjen e komisioneve hetimore se mund të ketë ministra e zyrtarë të lartë të përfshirë në afera korruptive, siç ndodhi me inceneratorët.

“Për sa kohë kjo mazhorancë nuk lejon opozitën të bëjë detyrën e saj në parlament, opozita nuk do të lejojë që ky parlament të jetë në normalitet. Është shumë e lehtë ngritja e komisioneve hetimore. Mazhoranca nuk e lejon, se ne pamë se çfarë ndodhi me komisionin e inceneratorëve dhe i me komisionet e tjera nëse lejohet opozita do të kemi ministra, ish-ministra e zyrtarë të lartë të përfshirë. Opozitës nuk i ka ngel gjë tjetër veç kësaj sjellje. Nuk është normale, por a është normale që një mazhorancë si kjo e Ramës të shkelë kushtetutën me të dyja këmbët dhe t’i mbyllë gojën opozitës? Nëse ne e lejojmë që kjo të ndodhë, nuk jemi më vend demokrat, por jemi në diktaturë. Duhet të pranojmë që Shqipëria sot është vend autokratik. Opozita duhet të bëjë lëvizje deri sa kjo mazhorancë t’i thërrasë arsyes e jo forcës”.

Ai e konsideroi të turpshme praninë e gardës sot në parlament dhe kërkoi nga mazhoranca t’i thërrasë arsyes.

“Pa filluar seanca garda ishte në sallë, që nuk është normale dhe në shkelje të rregullores së parlamentit. Garda duhet të futet kur ka përplasje fizike ose kur kërkohet nga kryetarja e parlamentit. Është e turpshme kjo që ndodh. Kjo mazhorancë t’i thërrasë arsyes”.

Për vijimin e aksionit të opozitës, Gështenja tha se opozita duhet të jetë e unifikuar, ndërsa i bëri thirrje edhe elektoratit gri që të bashkohet me opozitën për të qenë alternativë qeverisëse nesër.

“Opozita duhet të jetë e unifikuar. Çdo deputet, çdo qytetar të rreshtohet kundër kësaj qeverisjeje, duhet të bashkohet me opozitën. Nëse ne vazhdojmë siç kemi vazhduar për dy vite kjo do të jetë në dëm të opozitës dhe në shërbim të Ramës. Duhet një vendimmarrje e të gjithë grupit parlamentar të të gjithë opozitës. Deputetët e opozitës janë të gjithë bashkë dhe pa pronar. Ne ftojmë edhe pjesën gri që të jetë pjesë e opozitës dhe të bëjë një luftë me opozitën për të qenë alternativë qeverisëse nesër. Opozita nuk ka luksin për të përjashtuar askënd në mënyrë që të jemi forcë alternative përballë Ramës. Nëse vazhdon opozita e fragmentuar, nuk i shërben vendit, por Ramës”.

 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli