Do të zhvillohet më 11 dhjetor seanca gjyqësore, ku do të shqyrtohet kërkesa e posaçme e Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës.
Gjykata e Posaçme nuk doli me një vendim sot për kërkesën e Belerit për leje të veçantë nga burgu duke shtyrë seancën. Avokatët thanë se janë refuzuar tri herë nga Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve.
Në dy rastet e para, burgjet kanë kthyer përgjigje përtej datës së caktuar për mbledhjet e këshillit bashkiak. Në këtë gjykim, ata kërkuan shfuqizimin e vendimit të 8 shtatorit të DPB për refuzimin e lejes së posaçme.
Beleri në seancë ka hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe ka kundërshtuar drejtimin e Bashkisë së Himarës edhe pas humbjes në zgjedhjet e 14 Majit, nga rivali i tij socialist Jorgo Goro.
“Kam 7 muaj që nuk më jepet e drejta, që më kanë dhënë qytetarët e Himarës. Është diskriminim politik, ka vendime politike. Kryeministri pozicionohet e mban qëndrim para çdo seance. Humbësi i zgjedhjeve komandon bashkinë e Himarës, kjo nuk është parë në asnjë vend të botës. Humbësi të komandojë bashkinë. Do të doja që kjo çështje të merrte fund. Do e kërkoj të drejtën në gjithë gjykatat, por edhe ato ndërkombëtare.”
Ndërkohë, në seancën e kësaj të hëne për kryebashkiakun e zgjedhur mori pjesë edhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi. (A2 Televizion)