Deputeti i Partisë Demokratike të Rithemelimit Luan Baçi, ka reaguar sot ndaj deklaratave të bëra dje nga nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj në lidhje me ngjarjen e rëndë në Fier, ku u vra efektivi i policisë, Novruz Cenaliaj.
Përmes një postimi në Facebook, Baçi shprehet se fotoja e publikuar në media, ku ai shfaqet me autorin e vrasjes së policit në Fier, është e realizuar para disa vitesh. Sipas tij Felaj shfrytëzon karrigen, për t’u hakmarrë ndaj deputetëve të opozitës.
“Ermonela Felaj, zv kryetare e parlamentit, e pa denjë, për këtë detyrë, e denjë vetëm për të drejtuar në mënyrë arbitrare dhe me arrogancë, ndonjë seance parlamentare, që i lë Nikolla! E shfrytëzon karrigen ku ulet dhe butonin që ka përpara, për t’u hakmarrë ndaj deputetëve të opozitës, duke ju ndërprerë fjalën, sa herë që ajo do, por edhe për të mashtruar opinionin publik, për të bërë politikë edhe në raste fatkeqësish si në rastin e vrasjes së punonjësit të policisë në Fier! Në seancën e dt. 16 Maj, zj Felaj duke shfrytëzuar mungesën time në disa minuta, na paska deklaruar, se deputetët e opozitës, nuk qenkan distancuar nga krimi që ndodhi në Fier, për vrasjen e policit dhe nuk kërkuan që autori të dorëzohet! Dhe pa tjetër "përkthimin" e emrit të deputetit të opozitës, ja ka bërë menjëherë, media që është në dispozicion të tyre edhe kur këta gënjejnë! Shfrytëzuan një foto timen të dalë me autorin e krimit 3 vjet më parë, kur ai ishte vetëm 19 vjeç dhe krejt i pafajshëm dhe filluan sulmin si skutha dhe në mënyrë të paturpshme!”
Ai i bën thirrje Felajt që të kërkojë ndjesë për deklaratat e bëra dhe të tërheqë shpifjet e gënjeshtrat.
"Zonja gënjeshtare, arroganca dhe mendjemadhësia juaj, garancia që ju jep partia juaj, duke ju punësuar me farë e me fis, në prokurori, gjykata dhe në çdo zyrë të shtetit, në mënyre abuzive, ju ka errësuar arsyen dhe bëni deklarata të pa vërteta duke gënjyer paturpësisht! Po ju vë në dispozicion një nga prononcimet e mia, të shumta për këtë çështje, të dhënë në një nga mediat afër jush! Dëgjojeni me kujdes, bëni durim disa minuta dhe tërhiqi shpifjet dhe gënjeshtrat e tua bajate! Kërko ndjesë, po të ka mbetur një fije dinjiteti prej zonje!”.
Një ditë më parë nënkryetarja e Kuvendit i bëri thirrje “SPAK të hetojë Strukturën e Armatosur të PD-së për votën”, pas publikimit të fotos së autorit Azgan Mërnica me deputetin Luan Baçi.
(A2 Televizion)