Inaugurimi i bazës së NATO-s në Kuçovë është përshëndetur nga opozita. Në një deklaratë, PD Rithemelimi teksa kujton dhe hyrjen e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut e konsideruar si një ngjarje të rëndësishme për vendin tonë.
Demokratët e drejtuar nga ish-kryeministri Berisha deklarojnë se “garantojnë NATO-n se ajo sot dhe në të ardhmen mbështet pa rezerva bashkëpunimin me Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe mbetet e vendosur në respektimin e të gjitha detyrimeve politike dhe ushtarake të Shqipërisë ndaj saj”.
Edhe për Partinë Demokratike zyrtare rijetëzimi i bazës së Kuçovës është një lajm i mirë për vendin tonë dhe rajonin, por shton se “sot kërkohet më shumë angazhim dhe përkushtim e jo propagandë për të zhvilluar potencialin mbrojtës të vendit e për sigurinë tonë kombëtare që është e lidhur ngushtësisht me sigurinë e Kosovës”.
Po ashtu inaugurimi i bazës ushtarake është përshëndetur edhe nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. (A2 Televizion)