Deputeti socialist Baftjar Zeqaj është paraqitur këtë të hënë në ambientet e SPAK.
Emri i Zeqajt është përmendur muaj më parë në dosjen e ish/zv-kryeministrit Arben Ahmetaj, për firmat që ai ka hedhur në procedurën e tenderimit të inceneratorit të Fierit, në vitin 2011 kur ishte kryetar i Bashkisë së Fierit.
Është e paqartë arsyeja përse Zeqaj ka shkuar sot në Prokurorinë e Posaçme, por vlen të theksohet se në korrik ai sqaroi pozicionin e tij në lidhje me çështjen duke folur për mediat nga Kuvendi. Zeqaj mohoi çdo lidhje me inceneratorin, gjatë kohës kur drejtonte bashkinë.
“Nuk kam firmosur tendera për inceneratorin. Nuk ka asnjë moment që flet që unë jam takuar me Ahmetajn, as kam pirë kafe. Nuk kam komunikuar me zotin Ahmetaj, për mua është vetëm një shok partie. Nuk mbaj mend që të jem takuar. Në telefonin e Ahmetajt është gjetur një mesazh që më është dërguar mua “tako Mërtirin” për takim. Unë jam i shqetësuar që emri im shpërdorohet. Mos harroni se telefoni i tij është në duart e SPAK. Mua nuk më pyeti njeri për inceneratorin”, shprehej Zeqaj asokohe.
Lidhur me një mesazh që rezulton se Ahmetaj i ka dërguar në telefon, ku i kërkon të takohet me Mirel Mërtirin, Zeqaj 4 muaj më parë u shpreh: “Mua s’më kujtohet takimi dhe tema. Nuk mbaj mend do thosha. Unë se mbaj mend, ky takim mund të jetë në 1 mijë takime. Nuk e kam njohur as si fytyrë, se mbaj mend a e kam takuar”.
Pasi ka dalë nga SPAK, Zeqaj i është përgjigjur interesit të gazetarëve me fjalët: “Nuk kam lajm”. (A2 Televizion)