“Kemi marrë ok nga KQZ”, Lapaj: Gati formulari për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, do mbledhim 20 mijë firma

Nga A2 CNN
8 Mars 2024, 19:30 | Politikë

“Kemi marrë ok nga KQZ”, Lapaj: Gati formulari për

KQZ ka dhënë “OK” dhe nga java tjetër do të nisë mbledhja e firmave të qytetarëve për t’i propozuar Kuvendit 2 projektligje. Në fokus janë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në pikat që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe ndryshimin e sistemit elektoral në sistem proporcional kombëtar me lista të hapura. Kjo iniciativë është ndërmarrë nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet” e drejtuar nga Adriatik Lapaj, sipas të cilit ky është tregues se ata “çfarë thonë, bëhet”.

I ftuar në studion e A2 CNN në Ditarin e pasdites, me gazetaren Bruna Çifligu, Lapaj tha se në këtë formë qytetarët do jenë përpara 2 zgjedhjeje, ose të bashkohen me trafikantët apo me intelektualët, modelin e të resë.

“KQZ ka miratuar kërkesën tonë për të miratuar formularin me 20 mijë firma për firmat lidhur me Kodin Zgjedhor dhe hapjen e sistemit zgjedhor. Na është miratuar formularin tip dhe ne nga java tjetër, do të nisim të mbledhim firmat.  Ne do mbledhim format e 20 mijë zgjedhësve dhe këto projektligje do i fusim si iniciativë qytetarë dhe do shkojnë në parlament dhe deputetët do votojnë po ose jo, këta do votojnë jo, atëherë qytetarët do e kenë të qartë kush po e mban peng sistemin. Nëse nuk e marrin në konsideratë idenë e qytetarëve, do shkojmë në zgjedhje që ose keni modelin e pengmarrësve, që nuk lejojnë meritokraci dhe modelin e të rinjve, që thonë se duhet hapur gara. 19 deputetë të legjislaturës së kaluar shqiptare kanë qenë trafikantë ndërkombëtar droge apo trafikant të femrave shqiptare, apo intelektualë, mes këtyre 2 modeleve qytetarët do zgjedhin”, tha Lapaj.

Ai është i qartë sa i përket aleancës me partitë ekzistuese. “Jo bashkëpunim” me partitët që kanë “marrë peng” Shqiëprisë, tha Lapaj, por shtoi se është i hapur me subjekte të reja, apo edhe individë. Duke u ndalur se deri në ç’pikë është puna për të siguruar këto aleanca, Lapaj nuk dha shumë detaje, por u mjaftua të thoshte “po punohet”.

“Jemi grupim që po rritemi dita ditës, po rritemi me njerëz që ndoshta s’janë të famshëm në TV, kemi synuar intelektualët në çdo sukses, dhe me këtë shtrat po mundohemi të japim një ofertë cilësore. Nuk do ketë asnjë aleancë me subjekte të vjetra që janë autor të sistemit që Shqipërinë e ka futur në pengmarrje, por të hapur me subjekte të reja, dhe ato individë që veprojnë të vetëm, ka intelektual që nuk janë pjesë e partisë, por ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me ta”, tha ai.

Lapaj është optimist se ato do e arrijnë qëllimin e tyre për të thyer këtë klasë politike. Se nga e merr këtë vetëbesim, Lapaj u përgjigj me një fjali.

“Sepse po të mos e besonin, nuk do e kishim nisur”, përfundoi Lapaj në A2 CNN.

Në fund, aktivisti theksoi se është i bindur që do i japë qytetarëve një ofertë bindëse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos