Negociatat PS-Rithemelim, Qefalia: Jo presion ndërkombëtar, dështim i lëvizjes së opozitës, jo tërheqje e socialistëve

Nga A2 CNN
8 Mars 2024, 18:59 | Politikë

Negociatat PS-Rithemelim, Qefalia: Jo presion ndërkombëtar,

Lajmet e A2 CNN të raportuara me burime se Rithemelimi dhe Mazhoranca janë një diskutime, e ka konfirmuar edhe deputeti socialist, Xhemal Qefalia. I ftuar në Ditarin e pasdites, me gazetaren Bruna Çifligu, Qefalia u shpreh optimist se nga ky takim  do të dalë “tymi i bardhë”. Ai ka zbuluar në studion e A2 CNN se ftesa për t’u ulur në tryezë me opozitën ka qenë aty më herët, por nuk është bërë e mundur për shkak të përçarjes së tyre. Tashmë, që shumica e opozitës është bashkë, Qefalia tha se u bë e mundur nisja e negociatave për normalizimin e seancave plenare.

“Po vijnë kur kemi një farë bashkimi të opozitës, nuk vinin dot më parë. Ftesa ka qenë më parë dhe tani kanë ardhur për t'u ulur në dialog, mazhorancës i takon që të jetë më tolerante, nuk është bërë kjo ulje se ne kemi parë deputet që janë ngjitur nga dritaret, ka një frymë dialogu dhe jam e sigurt që do kthehet në normalitet, gjërat janë duke shkuar në normalitet të plotë”, tha Qefalia.

Për rrjedhojë, ai thotë se negociatat nuk kanë ardhur si pasojë e presionit ndërkombëtar. Sipas tij, është më shumë dështim i opozitës, se tërheqje e socialistëve.

“Nuk ka pasur asnjë presion ndërkombëtar. Është më tepër dështim i lëvizjes së opozitës, kanë kuptuar se nuk arrihet me forcë, por me forcë argumenti”, deklaroi Qefalia.

Ai ka zbuluar edhe disa kërkesa që ka hedhur opozita në tryezë, por që sipas tij jo të gjitha janë në dorën e socialistëve.

“Ka disa kërkesa, kërkesa primare ka qenë se kush e drejton PD, gjë që nuk e jep as Nikolla dhe askush, dhe krijimi i komisioneve dhe ne jemi për të ngritur komisione, kërkesë tjetër është se kush do jetë bashkëkryetar i komisionit të reformës zgjedhore, kjo është një gjë që mund ta zgjidhin me njërin tjetrin, se s’mund ta japë PS”, shtoi deputeti.

Duke shprehur se është i vetëdijshëm që nuk është një seancë normale ajo që zhvillohet në Kuvend ku ligjet miratohen për 7 minuta, Qefalia u shpreh besimplotë se gjërat do të ndryshojnë, ndoshta dhe në seancën e radhës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos