Sondazh: Sipas jush, brezi më i lumtur është:
  • X (1960-1980) 33%
  • Millenials (1981-1996) 56%
  • Z (1997-2011) 11%
  • Alpha (2012-2025) 0%

Normaliteti kthehet më 21 mars? Negociata Mazhorancë-Rithemelim, shqetësohet PD e Bashës

Nga A2 CNN
8 Mars 2024, 15:51 | Politikë

Negociatat mes mazhorancës dhe grupit parlamentar të Partisë Demokratike duket se kanë shqetësuar Lulzim Bashën, njerëzit e të cilit kanë lëshuar disa reagime në mediat sociale. Mes tyre, Enkelejd Alibeaj, flet për marrëveshje okulte dhe negociata sekrete, mbi të cilat kërkon të sqarojë opionionin publik.

Në një postim në mediat sociale Alibeaj i kërkon maxhorancës që të sqarojë nëse ka diskutime me Rithemelimin dhe sipas tij nëse bisedimet konfirmohen do të thotë se po bëhet pazari i radhës.

“PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore. Në media referuar burimeve nga PS dhe grupi i Sali Berishës, është bërë e ditur se ka një dakordësi për të dështuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në mënyrë që çështja të kalojë në Komisionin e Ligjeve ku socialistët kanë vendimmarrjen me shumicë votash e sidomos ku opozitës i mohohet e drejta e Vetos, si garanci që PS të mos bëjë ligj zgjedhor të njëanshëm duke peshkuar vota opozitare. Dihet se ata janë kundër votës së diasporës, votimit elektronik, listave të hapura, një zone elektorale. Nëse kjo është e vërtetë ky është një pazar në kurriz të shqiptarëve dhe për interesa të dy individëve që duan të mbajnë peng Shqipërinë, Rama dhe Berisha”, shkroi Alibeaj në Facebook.

Shqetësimit të PD-së së Bashës duket se iu përgjigj ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila një ditë më parë në Kuvend u bëri thirrje opozitarëve që të uleshin e të gjenin një dakordësi për të rikthyer normalitetin.

“Partia Socialiste nuk ka çfarë negocion fshehurazi me opozitat kuvendore. Hamendjet mediatike lidhur me një negociatë sipas disave për të qetësuar harbimin e rrugicës së dëshpërimit apo sipas disa të tjerëve për të vrarë të vetëvrarin Lul janë pa asnjë bazë”, shkroi ajo në Facebook.

“Ne kurrë s’kemi penguar ngritjen e komisioneve hetimore, po bazuar në udhërrëfimet e Gjykatës Kushtetuese kemi refuzuar të votojmë për pseudo-komisione në shkelje të Kushtetutës. Çdo kërkesë për komision hetimor brenda kornizës kushtetuese është i mirëseardhur. Sa për Komisionin e Reformës Zgjedhore opinioni ynë është publik dhe është shprehur ka kohë edhe nga vetë kryeministri. Thelbi është i thjeshtë fare: Komision Bipartizan me shumë Partiskanë ku secili do të nxjerrë nga qeleshja e vet një reformë sipas oreksit të vet, nuk kemi se si gënjejmë veten se bëhet dot. Kështu që edhe po të donim të negocionim gjësendi me rrugicën e dëshpërimit nuk do ta gjenim dot çfarë mund të ishte, ndërkohë që në Parlament ne shkojmë për të votuar ligje, ndërsa opozitat për t’i debatuar ato me ne. Kur opozitat s’duan të debatojnë po të harbojnë, ne votojmë dhe vazhdojmë punët e tjera. Kaq është e gjitha dhe me gjithë keqardhjen e madhe për degradimin e opozitave, nuk kemi asnjë mundësi t’u vijmë në ndihmë as atyre që ulërijnë nga pagjumësia, as atyre që flasin në gjumë”.

Por burime për A2 CNN konfirmojnë se pakti maxhorancë-opozitë mund të arrihet shumë shpejt dhe seanca më e afërt ajo e 21 marsit të zhvillohet normalisht.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani