Rezoluta e PPE, Meta: E mbështesim plotësisht, dënojmë veprimet e qeverisë kundër Belerit

Nga Anesti Barjamemaj
7 Mars 2024, 16:36 | Politikë

Rezoluta e PPE, Meta: E mbështesim plotësisht, dënojmë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përshëndeti rezolutën e Partive Popullore Europiane, ku theksohej se maxhoranca duhet të respektojë të drejtat e opozitës në Kuvend.

Meta shtoi se Partia e Lirisë e mbështet plotësisht këtë rezolutë, pasi aty theksohet dhe çështja e Fredi Belerit, për të cilin thotë se iu shkelën të gjitha të drejtat për një proces të rregullt ligjor. 

“Partia e Lirisë i bashkohet thirrjes së forcës kryesore politike në Parlamentin Europian për zbatimin e shpejtë të të drejtave parlamentare dhe kushtetuese të opozitës në Shqipëri, duke përfshirë funksionin e saj themelor për të mbajtur ekzekutivin përgjegjës. Ndajmë të njëjtin qëndrim me PPE se neglizhimi i shtetit të së drejtës, të drejtave themelore dhe lirisë së medias, si dhe korrupsioni i përhapur dhe mungesa e ndarjes së pushteteve, po minojnë rrugën e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Partia e Lirisë, ashtu siç theksohete dhe në rezolutën e PPE, dënon ashpër veprimet e Qeverisë shqiptare kundër kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, ndërhyrjen e saj të drejtpërdrejtë për t’i mohuar të drejtën kushtetuese për t’u betuar, ndikimin flagrant tek drejtësia dhe ajo që është më e rënda, burgimin e tij politik, që  bien ndesh me vlerat e familjes europiane ku synojmë të aderojmë. Shprehim gjithashtu të njëjtin qëndrim të evidentuar qartë edhe në këtë Rezolutë mbi domosdoshmërinë e zbatimit sa më të shpejtë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe miratimit të reformës zgjedhore përmes një dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët për adresimin e saj përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.”

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli