Kriza në parlament, Bardhi: Të gatshëm për zgjidhje, por aksioni vijon edhe me përshkallëzim

Nga A2 CNN
6 Mars 2024, 16:33 | Politikë

Tashmë që kanë kaluar më shumë se 5 muaj nga nisja e aksionit në Kuvend, nevoja për kthimin në normalitet pranohet edhe nga opozita. Gazment Bardhi pas mbledhjes së grupit parlamentar pohoi se vendit i duhet një Parlamentar që funksionon, ndaj duke dëgjuar edhe thirrjet e ndërkombëtarëve, opozitarët janë të gatshëm për të gjetur zgjidhje.

“Shqipëria ka nevojë për një parlament që funksionon, edhe në përgjigje të thirrjes, të nxitjes së partnerëve ndërkombëtare për të pasur një parlament funksional. Kemi shprehur dhe vazhdojmë të shprehim gatishmërinë tonë për të gjetur zgjidhje për situatën në Kuvendin e Shqipërisë”, deklaroi Bardhi.

Bardhi mohoi që mes demokratëve të ketë një dëshirë për t’u tërhequr nga aksioni, teksa nënvizoi se nëse nuk ka një reflektim nga mazhoranca, mendohet edhe përshkallëzimi i tij.

“Ka patur diskutime të gjata nëse është ky momenti për të përshkallëzuar aksionin apo sido ta vijojmë aksionin në Kuvend. Por asnjë prej kolegëve nuk ka propozuar tërheqje nga ky aksion”, theksoi ai.

Sa i përket debateve të brendshme lidhur me katapultimin e tij dhe deputetëve që e mbështesin në strukturat drejtuese të Rithemelimit, kreu i grupit pohoi se ai është zgjedhur me votë si drejtues i deputetëve ndaj i takon të jetë dhe nënkryetar partie.

“Nuk ka asnjë lajm të ri, si kryetar i grupit të PD, i zgjedhur dhe me besimin e kolegëve ushtroj dhe përgjegjësinë e nënkryetarit. Është përgjegjësi nuk është as post e as karrige”, theksoi ai.

Një thirrje e pati dhe për maxhorancën që të reflektojnë dhe të mos votojnë ligjin për investimet strategjike, pasi sipas tij nuk është në interes të qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos