Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj do të jenë dy nënkryetarët e rinj të Partisë Demokratike të Rithemelimit.
Me vetëm 6 vota kundër, Këshilli Kombëtar miratoi propozimet për ndryshimet statutore që katapultojnë në struktura Gazment Bardhin dhe mbështetësit e tij.
Këto ndryshime zgjerojnë dhe Kryesinë, e cila do të ketë 9 anëtarë më shumë, ku përveç Bardhit dhe Gjekmarkajt, pjesë e saj do jetë nënkryetari i Grupit Parlamentar dhe kryesia e grupit.
Për Sekretarin e Përgjithshëm të Rithemelimit, Flamur Noka, ndryshimet statutore janë historike dhe akti i fundit i bashkimit të demokratëve.
“Këshilli kombëtar i PD në lartësinë e detyrës që e kanë ngarkuar demokratët, në lartësinë e detyrës që ka një institucion politik kryesor i një forcë politike arriti të përkthejë mesë mirë kërkesën e kahershme të demokratëve, por edhe të përkthehej më së miri mesazhin e protestës së 20 Shkurtit. Bashkimi është gjithçka për demokratët.”
Noka pohoi se kjo mbledhje dhe vendimmarrjet në të, shënuan fundin e përçarjes mes demokratëve, gjë që sipas tij zhgënjeu dhe Kryeministrin Edi Rama.
Pavarësisht se numri dy i PD u mundua të minimizonte debatet e brendshme, në Kryesi zërat kundër ishin të shumtë. Formula e katapultimit të Bardhit dhe mbështetësve të tij nuk është pranuar nga shumë prej të besuarve të Berishës, si Oerd Bylykbashi, Jozefina Topalli, Edmond Spaho etj.
Shmangia e procesit të votimit ishte pika që ndau demokratët. Pas tre orësh debate, Kryesia vendosi që t’ia kalonte Këshillit Kombëtar ndryshimet statutore si propozim të kryetarit Sali Berisha dhe jo si të kërkuara prej saj.
Gjithashtu këto ndryshime do të konsiderohen si dispozita tranzitore dhe do të përdoren vetëm për këtë rast. Pavarësisht kundërshtive edhe në Këshill Kombëtar, katapultimi i Bardhit dhe mbështetësve të tij nuk u ndal dhe nga kjo e martë dy grupimet do të jenë nën një ombrellë, atë të Rithemelimit. (A2 Televizion)