"Nuk ka asnjë tendencë që të ketë komision nga ana e PS që të kontrollojë punën e institucioneve.” Kështu u përgjigj në mënyrë kategorike Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, i ftuar mbrëmjen e së hënës në “Debat” nga Alba Alishani.
I pyetur rreth deklaratave të bëra disa ditë më parë nga kolegu i tij Eduard Shalsi, Blendi Klosi theksoi se mes shumicës socialiste ka vetëm diskutime për të forcuar kapacitetet e parlamentit si institucion, por për një ngritjen e një komisioni hetimor që mund të kontrollojë institucionet e drejtësisë, të cilat raportojnë në Kuvend.
Në një intervistë të dhënë për një televizion kombëtar, Eduard Shalsi deklaroi se Grupi Parlamentar Socialist ka ngritur një grup punë, i cili do të kryesohet prej tij. Synimi i këtij grupi punë, siç deklaroi ai, do të jetë për të propozuar mënyra për “të rritur kapacitetet për të monitoruar, kontrolluar punën e qeverisë dhe të institucioneve të ndryshme të pavarura.”
Megjithatë, Klosi këmbëngul se PS nuk ka asnjë lloj synimi që të ngrejë një komision të tillë. Sipas tij, gjasat janë që fjalët e Shalsit të jenë nxjerrë nga konteksti.
“Në këto 32 vite, nuk ka pasur një shprehje të tillë si kjo që thotë zoti Shalsi. Nuk ka asnjë tendencë që të ketë një grup pune, apo komision nga ana e PS që të kontrollojë punën e institucioneve. Ka diskutime vetëm për të forcuar kapacitetet e Parlamentit si institucion.”
Kjo iniciativë e socialistëve, të cilën Klosi e mohon të jetë ashtu siç është interpretuar, po komentohet si një përpjekje nga ana e qeverisë për të kontrolluar organet e reja të drejtësisë. (A2 Televizion)