Përgjimet e Sky ECC, Bardhi dorëzon telefonin në SPAK: Dumani më tha se bisedat janë të sajuara

Nga A2 CNN
2 Tetor 2024, 16:44 | Politikë

Gazment Bardhi dorëzoi telefonin e tij në SPAK, prej ku ju tha gazetarëve se bisedat që ia kanë dërguar janë të sajuara dhe pas asnjë lidhje me platformat Sky ECC apo Encro Chat.

Ai deklaroi se nuk ka pasur asnjë lidhje me Ervis Martinajn apo ndonjë kriminel tjetër, shkruan A2.

“Prokurorëve Dumani dhe Shehu u vura në dispozicion telefonin tim dhe mu tha zyrtarisht nga prokurorët që ato procesverbale nuk ekzistojnë. Është tashmë zyrtarisht e konfirmuar se ato formate dhe ato procesverbale nuk ekzistojnë në përgjimet zyrtare të Sky ECC që administron Prokuroria e Posaçme. SPAK ka marrë të gjitha të dhënat e nevojshme me qëllim që të identifikojë se nga ka ardhur mesazhi në telefonin tim dhe për të identifikuar sigurisht edhe autorët e këtij krimi të rëndë, por edhe motivet. Nuk kam asnjë dyshim. Unë kam besim, që nuk është vetëm në interesin tim personal, sepse qëllimi i tyre ka qenë të shtantazhojnë Gazment Bardhin me prodhime të lajmeve të rreme. Unë nuk shantazhohem kur bëhet fjalë për mbrojtje të interesit publik, siç e kam bërë deri më sot. Por unë kam bindjen e plotë se kjo është një çështje edhe në interes të SPAK, pasi askush nuk mund të guxojë të fabrikojë të dhëna të rreme dhe t’ia faturojë atë Prokurorisë së Posaçme”, tha kreu i Grupit të PD.

I pyetur nga gazetarët nëse ka pasur ndonjëherë kontakt me të shumëkërkuarin e drejtësisë, Ervis Martinaj, Bardhi e mohoi kategorikisht, duke u shprehur se ai është politikani që ka denoncuar me emër dhe mbiemër eksponentët e krimit të organizuar.

“Zero, zero, zero. Dhe kjo nuk ka nevojë ta them unë. Nëse do të ekzistonin do të ishin te ato realet, jo te këto të fabrikuarat. Gazment Bardhi as ka patur, as do të ketë ndonjëherë asnjë lidhje me asnjë kriminel të zakonshëm, jo më me një eksponent të krimit të organizuar. Nëse do ta kisha këtë nuk do ta kisha guximin ti përmendja me emër çdo anëtar të krimit të organizuar”, deklaroi Bardhi, përcjell A2. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos