“Po firmosin për mandatin e Ramës”, Berisha: Protestat nuk lidhen me SPAK

Nga Anesti Barjamemaj
15 Dhjetor 2023, 16:12 | Politikë

Për pak ditë Sali Berisha pritet të jetë pa imunitet dhe nën masë arresti nga SPAK, por demokratët po përgatisin kundërpërgjigjen politike. Kreu i Rithemelimit tha se duan mandatin e Edi Ramës dhe mbledhja e firmave ka nisur. E akuzojnë për tenderat që Berisha thotë se ka fituar vajza e bashkëshortes së kryeministrit.

“Nuk mund ta falim. Dhe ua thashë ju, do kërkohet heqja e mandatit të Edi Ramës. Do të dorëzohen dokumentet, po mbledh grupin e juristëve për të kërkuar heqjen e mandatit. Ka shkelur Kushtetutën, ka shkelur ligjin”.

Nga ana tjetër lideri i opozitës njoftoi se edhe kundër prokurorëve të SPAK do të ketë padi, pasi i akuzon se kanë amnistuar kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Paratë e djegësit të Tiranës kanë djegur SKAPIN Këto lëvizje vijnë paralelisht me protestat e thirrura. Nuk do të jetë e vetmja ajo e së hënës në Kryesinë e Kuvendit, kur Këshilli i Mandateve shqyrton kërkesën e SPAK për imunitetin e Berishës. Ai tha paralajmëroi protesta të vazhdueshme në të gjithë vendin që sipas tij do të ndalen vetëm nëse rrëzojnë Edi Ramën nga pushteti. Theksoi edhe njëherë se thirrja e qytetarëve nuk po bëhet kundër SPAK dhe për procesin e nisur ndaj tij, por është vijim i revoltës së deputetëve në Kuvend.

“Nuk ka asnjë lidhje me SKAP-in. Po të ishte për SPAK-un, bënim thirrje të shkonim te SPAK-u. Absolutisht nuk ka asnjë lidhje. Ka lidhje me Edi Ramën dhe vendimin e tij të tmerrshëm antidemokratik që mori në parlament. Pra, është vazhdim i protestave tona. Të enjten do jemi para parlamentit. Tani nuk ka më të ndalur.”

Vendimi për thirrjen e qytetarëve në protestë u mor në mbledhjen e Kryesisë, në mënyrë të njëanshme pasi grupi parlamentar u deklarua kundër këtij skenari. Por kjo për kreun e Rithemelimit nuk përbën problem, pasi pohoi se me Gazment Bardhin dhe deputetët që e mbështesin nuk do ketë asnjë krisje, edhe nëse ata nuk marrin pjesë në protestë.

“Po të votohej, shumica do dilte për protestë. Por pikërisht se ne nuk operojmë me shumicë dhe pakicë, por ecim me mirëkuptime më të gjëra, por nëse do votohet, shumica do ishte për protestë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos