Ky është momenti ku Erion Veliaj për herë të parë doli nga zyra e tij në Bashkinë e Tiranës, jo vetëm si qytetari i parë i kryeqytetit, por edhe si një person i arrestuar. Urdhër arresti ndaj tij u miratua nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, që e akuzon të zgjedhurin tre herë si kryebashkiak për “korrupsion” në 9 raste dhe për “pastrim të parave”.
Pa pranga në duar, Veliaj iu bind agjentëve të BKH dhe zyrtarëve të policisë të shkonte me ta. Aipërdori mjetin e tij elektrik për të shkuar drejt bllokut të sigurisë, në qelitë e të cilit do të qëndrojë të paktën deri në përballjen me Gjykatën e Posaçme për verifikimin e masës.
I njëjti vendim gjyqësor, miratoi një masë “arrest në shtëpi” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa. Ajo akuzohet për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim të pasurisë”.
SPAK bindi gjykatën edhe për një masë sigurie “arrest në burg” për biznesmenin Elman Abule dhe masat e sigurisë “detyrim për paraqitje” për biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, të akuzuar për “korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë”.
Sipas një komunikimi zyrtar të SPAK, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, kanë ideuar, krijuar dhe vënë në funksion një mekanizëm që ka synuar dhe realizuar përvetësimin e fondeve publike të Bashkisë Tiranës.
Referuar hetimit, kryebashkiaku Veliaj me firmën e tij ka miratuar në disa raste shpërndarje të fondeve publike dhe leje ndërtimi tek disa shoqëri tregtare të lidhur ngushtë me të. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetësja Ajola Xoxe, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.
Skema korruptive e krijuar, sipas SPAK, ka bërë që para të dala nga buxheti i bashkisë me firmën e Veliajt, të kalonin drejtpërdrejt te bashkëshortja e tij, rrjedhimisht tek vetja, përmes OJF-ve të kontrolluara prej saj, kanë kaluar përmes sponsorizimeve nga shoqëri tregtare që kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike, kanë kaluar si pasuri të patundshme, specifikisht në vilë në Qerret, si edhe janë shpenzuar për blerje në vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryebashkiakut.
Sipas SPAK, përmes disa shoqërive tregtare dhe OJF-ve të kontrolluara nga bashkëshortja e kryebashkiakut, por edhe një shoqërie të Elman Abules janë gjeneruar të ardhura në shifrën e rreth 110 milionë lekë.
Po nga hetimi, rezulton se në një periudhë prej 4 vitesh, Ajola Xoxa vetëm ose përmes njerëzve të afërt ka shpenzuar gati 87 milionë lekë të rinj për blerje online, veshje dhe bizhuteri. Xoxa rezulton se nuk ka deklaruar asnjë nga këto shpenzime dhe as pjesëmarrje e saj në bordin e një OJF-je, që ka gjeneruar shumë të ardhura.
Për këtë hetim SPAK njoftoi të hënën edhe vënien në sekuestro të një vile në Qerret, 869 mijë eurove në dy llogari të Xoxes në banka të nivelit të dytë, dhe shumave të gjetura në një kasafortë nga kontrolli i SPAK, 95 mijë euro, 15 mijë dollar dhe 665 mijë lekë.
Njëkohësisht SPAK bëri me dije se ka regjistruar një hetim ndaj deputetes së PS, kryetare të Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka për veprën penale të “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. (A2 Televizion)